Selimi dhe të Tjerët Shpallen të Pafajshëm (TV)

Arsyetimin e vendimit për shpalljen të pafajshëm të Sylejman Selimit, Ismet Haxhës, Shefki Hysenit e Nexhat Qubrelit e lexoi gjyqtari Philip Kanning.

“Provat nuk janë vërtetuar pasi është kohë e gjatë prej atëherë kur ka ndodhur rasti [viti 1998] dhe është paraqitur në prokurori”, tha ai në arsyetim.

Më tutje Kanning tha se trupi gjykues beson se diçka ka ndodhur në Vaganicë të Mitrovicës para 16 vjetësh.

“Ne si trup gjykues edhe tash po besojmë se diçka ka ndodhur në Vaganicë të Mitrovicës, por nuk kemi mundur t’i vërtetojmë provat e dyshuara nga dëshmitaret A dhe B”.

Vendimin Kanning e arsyetoi edhe me përvojën e trupit gjykues.

“Krejt ky trup gjykues ka 65 vjet përvojë pune nëpër gjykata”, tha ai në seancë.

Tomë Gashi, avokati i Sylejman Selimit e cilësoi aktgjykimin të drejtë.

 “Gjykata ka sjellë aktgjykim të drejtë, të ligjshëm dhe të besueshëm dhe i ka liruar të gjithë të pafajshëm. Prokuria nuk ka paraqitë asnjë provë me të cilën do të vërtetoheshin pretendimet e pabazuara te prokurorisë për kinse involvimin e gjeneralit Selimi dhe të tjerëve në këto veprime”, tha Gashi.

Prokurorja Diana Wilson paralajmëroi ankesë ndaj këtij vendimi.

Sylejman Selimi e Ismet Haxha vazhdojnë të mbeten në paraburgim, pasi janë të përfshirë në një rast tjetër të gjykimit për krime lufte, ndërsa Shefki Hyseni e Nexhat Qubreli janë lënë të lirë.

11:37

Sylejman Selimi, Ismet Haxha, Shefki Hyseni dhe Nexhat Qubreli u shpallën të pafajshëm të enjten, pasi që nuk janë vërtetuar provat e fajësisë së tyre, raporton gazetari i Jetës në Kosovë nga gjykata në veri.
 
Sylejman Selimi, ambasador i Kosovës në Tiranë dhe ish-komandant i lartë i UÇK-së akuzohej për keqtrajtimin e dy vajzave në Likovc të Drenicës në dhjetorin e vitit 1998.

“I akuzuari në cilësinë e pjesëtarit të lartë të UÇK-së, në bashkëpunim me disa pjesëtarë të tjerë të paidentifikuar të UÇK-së, ka shkelur integritetin trupor të Dëshmitares A dhe Dëshmitares B, të dyja të nacionalitetit shqiptar, duke i rrahur vazhdimisht”, thuhej në padi.

Këto dy vajza që edhe dëshmuan gjatë gjykimit, sipas aktakuzës ishin rrëmbyer në Vaganicë të Mitrovicës për t’u dërguar pastaj në Likovc.

Shefki Hyseni akuzohej për dhunimin e njërës prej tyre, ndërsa si Selimi edhe Ismet Haxha e Nexhat Qubreli akuzoheshin për keqtrajtim të dëshmitareve A dhe B