Dënohen Falsifikuesit e Zgjedhjeve

Në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore të Gjakovës te hënën u mbajt shqyrtimi gjyqësor kundër shtatë të akuzuarve për mashtrim zgjedhor.

Ata akuzohen nga prokuroria e këtij qyteti se në ditën e zgjedhjeve parlamentare më 12 dhjetor 2010, në cilësinë e komisionarëve në një vendvotim të Gjakovës kanë bërë këtë mashtrim.

Sipas prokurorit Agron Matjani, të pandehurit akuzohen se në orët e pacaktuara të ditës së zgjedhjeve në shkollën fillore “Haxhi Hoti“ te fshatit Demjan te komunës se Gjakovës kanë falsifikuar rezultatet e votimeve duke u shtuar dhe hequr votat kandidatëve te ndryshëm të subjekteve politike.

Në këtë vendvotim si komisionarë e tash te akuzuar ishin Kushtrim Shala, Jeton Gashi, Valdrin Morina, Naim Kryeziu, Rasim Kryeziu dhe Avni Morina.

Pesë nga gjashtë të akuzuarit para trupit gjykues të udhëhequr nga gjyqtari Gëzim Pozhegu kryetar dhe Hilmi Hoxha dhe Shaqir Zika anëtarë, pasi u njoftuan me akuzën dhe me të drejtat e detyrimet që i kanë, deklaruan se janë fajtorë.

Fajësinë  nuk e pranoi i akuzuari Naim Kryeziu duke e arsyetuar me atë se “unë nuk kam marrë pjesë si anëtar i komisionit për shkak të mospajisjes me bexh dhe vendin tim e kanë zëvendësuar me dikën tjetër“. Këtë e pohuan edhe të akuzuarit tjerë.

Trupi gjykues pas pranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarve mori dhe publikisht shpalli aktgjykimin me të cilin të akuzuarit me përjashtim të Naim Kryeziut i shpalli fajtorë duke i dënuar me gjashtë muaj burg me kusht dhe me nga 50 euro gjobë.

Të dënuarit nëse shkaktojnë vepër penale tjetër gjatë një viti, do të shkojnë automatikisht në vuajtje të dënimit prapa grilave.

Më të njëjtin aktgjykim gjykata refuzoi akuzën për mashtrim zgjedhor ndaj Naim Kryeziut dhe prokuroria hoqi dorë nga ndjekja penale e këtij personi.