Komisionarët e Dënuar Porosisin për Rregullsi në Zgjedhje

Kritkat për vjedhje industriale të votave në zgjedhjet nacionale të vitit 2010-ës bënë që deputetët të akuzohen për  mandat të kontestuar.

Tani më shumë se tre vjet pas, vendi pritet të shkojë në zgjedhjet tjera nacionale dhe frika nga keqpërdorimet e mundshme të votave ka ngritur në këmbë aparatin shtetëror.

Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë hartuar sërish strategji për parandalimin e keqpërdorimeve në zgjedhjet e 8 qershorit.

Mijëra policë, 100 prokurorë dhe 7 gjykatës do të jenë të angazhuar në ditën e zgjedhjeve për të siguruar votën e qytetarëve.

Koordinatorja nacionale për zgjedhje nga Prokurori i Shtetit, Laura Pula, tha se ditën e zgjedhjeve do të jenë të angazhuar 100 prokurorë për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Me 8 qershor sistemi prokurorial do të jetë i angazhuar me 100 prokurorë dhe 300 pjesëtarë të stafit civil do të mbarëvajnë procesin zgjedhor. Çdo person i cili tenton të kryejë një vepër penale kundër së drejtës së votimit do të ndalohet, arrestohet dhe paraburgoset”, tha Laura Pula, koordinatore nacionale për zgjedhje nga Prokurori i Shtetit.

Masa të shtuara të sigurisë ka paralajmëruar edhe Policia e Kosovës.

Naim Rexha, zëvëndëskomandant i Policisë së Kosovës tha se Policia e Kosovës do të jetë e angazhuar për të sigurar që procesi i votimit të shkojë ashtu siç është paraparë me planin operativ në të gjitha fazat e procesit zgjedhor.

“E kemi shtjelluar deri në detaje planin operativ sa i përket procesit zgjedhor. Dhe urdhri si i tillë i parasheh të gjitha fazat e procesit në fjalë dhe veprimet e policisë në kuadër të zbatimit të ligjit”, tha Rexha.
 
Ditën e zgjedhjeve për ta ruajtur votën e qytetarëve do të jenë kujdestare edhe Gjykatat e Kosovës. Kryesuesi  i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Enver Peci tha se ditën e zgjedhjeve do t`i jenë në detyrë 7 gjykatës.

“Me qëllim të një koordinimi më të mirë të punës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës  ka caktuar koordinatorin për zgjedhje. Ne i kemi caktuar edhe shtatë gjyqtarë kujdestarë që kanë me qenë ditën e zgjedhjeve në shtatë gjykata themelore”, tha kryesuesi i KGjK-së Enver Peci.

Rreziku i keqpërdorimeve ekziston
 
Mirëpo, sipas avokatit Dastid Pallaska, organet e ndjekjes kanë dështuar që t`i tregojnë urdhërdhënësit e keqpërdorimeve në zgjedhje.

“Kritika kryesore që është thënë edhe atëherë, por që mbetet aktuale është mungesa e veprimit kundër strukturave që kanë organizuar kryerjen e këtyre veprave penale. Për arsye se e dimë të gjithë se këto vepra penale nuk janë kryer vetëm nga kryerësit e drejtëpërdrejtë të cilët janë ndjekur penalisht”, tha Pallaska.

Ai shtoi se organet e rendit nuk kanë arritur t`i ndalin organizatorët e vjedhjeve, prandaj sipas tij rreziku i keqpërdorimeve edhe në këto zgjedhje mbetet shumë i lartë.

Ndërkaq të dhënat e KGjK-së, tregojnë se në gjykatat e Kosovës janë të regjistruara 389 lëndë të keqëpërdorimeve në zgjedhjet e kaluara, prej të cilave 35 janë të gjykuara me dënime me burgim dhe 37 lëndë me dënime me gjobë, derisa 249 lëndë janë ende të pazgjidhura

Se kush u ka dhënë urdhër që të keqëpërdornin votat në zgjedhje, ne kemi biseduar me disa prej ish-komisionarëve të partive politike të cilët janë dënuar me burg nga gjykatat për shërbimet e jashtëligjshme që ata u kryen partive politike në zgjedhjet nacionale të vitit 2010 dhe zgjedhjet e fundit lokale të vitit të kaluar.

Selajdin Nikqi nga komuna e Pejes, i dënuar me 3 muaj burg, nuk tregon se kush u dha urdhër për keqpërdorimet që ndodhën në ditën e zgjedhjeve në vendvotimin ku ai së bashku me 6 komisionarë tjerë ishin të angazhuar në zgjedhjet e kaluara nacionale. Ai e mohon se ka patur keqpërdorime në vendvotim.

“Na kanë thirrë në Gjykatë mas nja 7-8 muajve. Pa dit sen, as s’e  kam dit çka është ajo punë, as çka ka ndodhë  masi jam shku ne shpi. Po na akuzojnë neve se gjoja i kemi keqpërdorur 425 vota. Po unë se di që këto janë ba sa kemi qenë aty, se kush i bani masandej nuk e di”, thotë Nikqi.

Se kush i keqpërdori votat pas mbylljes së kutive të votimit në shkollën “Shaban Spahija” në Pejë, nuk mund të tregojë as Niman Nimanaj, po ashtu i dënuar me 3 muaj burg. Ai thotë se kutinë e votimit ka mundur ta hapë dikush gjatë rrugës për në Prishtinë, apo në Qendrën e Numërimit në Prishtinë.

“Sipas akuzës së prokurorisë ne komisionarët në bashëkveprim i kemi marrë vota njërit subjekt dhe i kemi qit tjetrit, por unë nuk e di se kush ka ba këto. Seancën e parë gjyqësore na i kan japë ka 3 muaj ditë burg”, tha Nimanaj.

Në anën  tjetër Flutura Kusari nga BIRN-i, thotë se partitë politike nuk janë kujdesur për komisionarët e akuzuar që t`u sigurojnë atyre të paktën ndihmë juridike.

Dhe tani komisionerët të cilët janë përfshirë në manipulimet e votave i vuajnë pasojat e veprimeve të jashtëligjshme që i kanë bërë për partitë e tyre.

“Ajo çfarë kemi parë ne është se këta komisionarë të cilët e kanë marrë si mision që t`i ndihmojnë partitë politike gjatë zgjedhjeve, në momentin kur ndaj tyre është ngritur aktakuza dhe ka filluar propcedura penale, ata janë lënë të vetmuar. Ajo çfarë ka ndodhur është që këta komisionarë të cilët kanë qenë të angazhuar nga partitë politike, nga KQZ-ja kur janë ballafaquar me ligjin, kanë përfunduar të vetmuar në gjykatë”, tha Kusari.

Sipas saj në zgjedhjet e 8 qershorit prokuroria duhet të ketë parasysh metodat e reja të manipulimit të votave dhe për t`i parandaluar ato duhet të përdorë edhe metoda më të sofistikuara si masat e fshehta.

Komisionarët t`i hapin sytë mirë

Për komisionarët të cilët do të jenë të angazhuar në zgjedhjet e 8 qershorit, Selajdin Nikqi i dënuar më burg për manipulim të votave thotë se komisionarët duhet të jenë të kujdesshëm, pasi që pasojat e veprimeve të tyre do t`i bartin vetë dhe jo partia.

“Komisionarët i kisha lutur që t`i  hapin sytë mirë ditën e zgjedhjeve dhe  të punojnë mirë.  Po ashtu t’i  kqyrin letrat mirë se ku po nënshkruhen, e mos të kenë probleme më pas. Sepse që katër vjet jemi duke u shty me gjyqe”, tha Nikqi.

Niman Nimanaj, po ashtu i dënuar me 3 muaj burg si ish-komisionar, thotë se sikur të ishte në rregull prapë do të punonte si komisionar, por ashtu siç i ka ndodhur atij, ai thotë se nuk do të pranonte edhe një herë të bënte punën e komisionarit.

“Me kanë në rregull gjithçka, kisha punu prapë komisionar, amo për qysh më ka ndodh mu jo. Unë kam shku me punu me marrë qat mëditje, e për se më ndodh kjo që katër vjet me jetu me barrën e gjyqit s’ja vlen”, tha Nimanaj.