Rinovohet Gjykata e Deçanit

Të enjten u përurua objekti i rinovuar i gjykatës së Deçanit që është degë e Gjykatës Themelore të Pejës.

Kjo gjykatë, si edhe shumë të tjera në Kosovë, përfituan nga një projekt i organizatës amerikane USAID për Sundim Efektiv të Ligjit, i cili u ndihmua financiarisht edhe nga Qeveria e Norvegjisë në Kosovë.

Pas renovimit në katin përdhes ndodhen zyra e administratorit dhe administratës, në katin e parë janë dy salla gjykimesh, dhomat për qëndrim të të pandehurve, zyrat për gjyqtarë të kundërvajtjes dhe sekretarët juridikë.

Kësaj gjykate para renovimit i kanë munguar të dy sallat e gjykimit që tash pritet ta lehtësojnë punën e gjyqtarëve.

Elmaze Syka, kryetare e Gjykatës Themelore të Pejës në fjalën e saj hyrëse falënderoi të pranishmit dhe sidomos donatorët e këtij projekti.

Falënderimet nuk i kurseu as kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci.

“Fillimisht në emër të KGjK-së dhe gjyqësorit në Kosovë një falënderim i veçantë për USAID-in, i cili gjatë këtyre 15 vjetëve  ka kontribuuar në përmirësimin e kushteve për gjyqësorin me rinovimin e gjykatave. Po ashtu një falënderim vlen edhe për Qeverinë Norvegjeze“, deklaroi Peci.

Peci foli edhe për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Është duke u bërë një punë kolosale në kuptim te plotësimit te kushteve për mbajtje te gjykimeve te drejta dhe transparente, mendoj se me këto kushte plotësohen edhe kushtet ligjore që kërkojnë që gjykimet të jenë publike“,  tha Peci.

Trashëgimia kulturore e rrezikuar

Pas përurimit të objektit, në njërën nga dy sallat që më parë mungonin u organizua një diskutim për rolin e gjykatave në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Për këtë trashëgimi foli ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Misionit të USAID-it në Kosovë Chris Edwards.

 “Është përgjegjësi e institucioneve publike të shtetit, e sektorit të drejtësisë, e organizatave të shoqërisë civile dhe mediave që të promovojnë në mënyrë aktive diversitetin dhe trashëgiminë kulturore si mënyrë për arritjen e paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit”, tha ai.

Në Komunën e Deçanit si objekt kryesor i trashëgimisë kulturore është manastiri mesjetar ortodoks.

Edhe Enver Peci foli për trashëgiminë kosovare.

“Kjo temë do të ngre vetëdijen te qytetarët për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, tha ai.

Në panelin ku u diskutua për trashëgiminë të pranishëm ishin edhe Xhejlane Belegu- Hoxha, drejtoreshë ekzekutive në  Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore,  Sali Shoshi-kreu i Misionit në Kosovë  të “Trashëgimisë Kulturore pa Kufij” dhe  Hajrullah Çeku, drejtues i organizatës joqeveritare “Ec ma Ndryshe”.

Xhejlane Belegu-Hoxha u bëri thirrje të gjithë pushteteve të demokracisë kosovare që të kujdesen për trashëgiminë kulturore.

 “Kemi shume rrënime te trashëgimisë kulturore te cilat janë te pazëvendësueshme,  e për fat te keq askush nuk është marrë me këto pos Tribunalit të Hagës. Edhe pse në Kosovë është shumë i qartë Ligji mbi Trashëgiminë Kulturore, nuk është arritur që të bëhet shpallja e pronave të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të shtetit që është detyrim themelor i tij”, tha Belegu-Hoxha.

Sali Shoshi nga “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” tha se institucioneve kosovare për mbrojtjen trashëgimisë kulturore mund t’u ndihmonte UNESCO-ja, organizata e Kombeve të Bashkuara që mbron trashëgiminë globale, por ai u shfaq skeptik lidhur me gjasat e Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO, para se vendi të bëhet pjesë e OKB-së.

Ai tha se aktualisht duhet të bazohemi “në aftësinë e institucioneve te Kosovës dhe e shtetit te Kosovës qe ta mbrojë trashëgimin kulturore të Kosovës “.

Hajrullah Çeku u mor me shkatërrimin urban.

“Një gjë që me se shumti paraqitet në analizat dhe të gjeturat tona është degradimi i qyteteve dhe  ajo që ne kemi vrejtë është se ky degradim nuk është  fenomen i tanishëm, mirëpo është fenomen qe është duke u përcjellë tash 15 vjet”, tha Çeku nga organizata “Ec ma ndryshe”.

Edhe ai nuk u duk se ka shpresë që trashëgimia do të mbrohet.

“Në Kosovë nuk ka mungesë legjislacioni, por zbatim të tij. Derisa nuk dënohen shkelësit, prokurorët nuk nisin raste sipas detyrës zyrtare (ex officio)”, shpjegoi Çeku.

Elmaze Syka, kryetare e Gjykatës Themelore të Pejës renditi përgjegjësinë institucionale për mbrojtjen e trashëgimisë.

Sipas saj së pari duhet të veprojë inspektorati, pastaj policia e prokuroria dhe së fundi gjykatat.

Gjykata e Deçanit është e 21-ta e rinovuar në tërë teritorin e Kosovës. renovimi i saj nisi më 13 janar dhe u krye në maj sipas afatit të paracaktuar.