Pjesëtarët e “Grupit të Drenicës” Deklarohen se Ndihen të Pafajshëm

Të shtatë të pandehurit në rastin e “Grupit të Drenicës” janë deklaruar se ndihen të pafajshëm ndaj akuzave me të cilat ngarkohen nga prokurori ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Seanca e sotme ka filluar me leximin e aktakuzës ndaj Sami Lushtakut, Sahit jasharit dhe Ismet Haxhës nga prokurori ndërkombëtar Cesar Mihalcuk.

Përveç Lushtakut, Jasharit e Haxhës, pjesë e këtij grupi të të akuzuarve janë edhe Sabit Geci, Sylejman Selimi, Avni Zabeli dhe Jahir Demaku.

10:49

Trupi gjykues vendosi ta ribashkojë lëndën ndaj “Grupit të Drenicës” një ditë pasi e kishte ndarë atë, për shkak se nuk dihej nëse tre të akuzuarit që ndodheshin në arrati do të ishin të pranishëm në seancë.

Seanca e sotme, ku janë të pranishëm të gjithë të akuzuarit, ka filluar me leximin e aktakuzës ndaj Sami Lushtakut, Sahit Jasharit dhe Ismet Haxhës, të cilët mbrëmë i dhanë fund arratisë triditëshe.

10:34

Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha kanë mbërritur në sallën e gjykimit në gjykatën në Mitrovicën e Veriut ku po pritet të fillojë seanca dëgjimore.

Gazetari i gazetës Jeta në Kosovë raporton se në sallë janë edhe katër të akuzuarit tjerë që e përbëjnë “Grupin e Drenicës”: Sabit Geci, Sylejman Selimi, Avni Zabeli dhe Jahir Demaku.

Ata akuzohen për krime të luftës nga një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Seanca dëgjimore ndaj këtyre katër të fundit është mbajtur dje, por Lushtaku, Jashari dhe Haxha nuk morën pjesë në të, pasi që për tri ditë rresht ishin në arrati.

Ata i janë dorëzuar mbrëmë policisë dhe nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës janë dërguar menjëherë në Burgun e Dubravës ku do të qëndrojnë në paraburgim.

Policia e Kosovës, përmes një komunikate, ka thënë se ka zbatuar urdhërarrestin e marrë nga Gjykata Themelore e Mitrovicës ndaj Lushtakut, Jasharit dhe Haxhës.

“Policia e Kosovës përmes njësiteve të saja relevante, ka vënë në zbatim urdhërarrestin për kërkim të të pandehurve. Zyrtarët policorë kanë realizuar urdhërarrestin dhe tre personat e kërkuar  nën shoqërimin e Policisë, dërgohen në Qendrën e Paraburgimit në Dubravë, ashtu siç kërkohej me urdhërarrest”, thuhet në komunikatën e Policisë.