Nuhi Uka Deklarohet i Pafajshëm për Krim të Organizuar (TV)

Prokurori Danilo Chekareli njoftoi trupin gjykues se veprat penale kanë mbetur të njëjta, ndërsa tha ka ndryshuar vetëm një pjesë të arsyetimit të aktakuzës.

Aktakuza 12 pikëshe kundër Ukës dhe të tjerëve përmban gjashtë vepra penale: nxjerrje e vendimeve të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe autoritetit, legalizimi i përmbajtjes së rreme, mashtrim, uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme dhe krimi i organizuar, e lexoi prokurori i rastit. 

Nuhi Uka, ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës ngarkohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim dhe për krim të organizuar. Sanije Muçolli, avokate dhe në të kaluarën gjykatëse në ish-Gjykatën Komunale në Prishtinë ngarkohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ose autoritetit, nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore dhe mashtrim.

Për të njëjtat akuza si Uka ngarkohet edhe Fehmi Havolli, ekspert i gjeodezisë në Kadastrën e Prishtinës.

Bashkë me këta të tre, të pandehur janë edhe Mirafete Hashani-Bislimi, Kadrie Hashani-Muharremi dhe Kimete Hashani-Uka.

Kadrie Hashani-Muharremi dhe Kimete Hashani-Uka akuzohen për legalizim të përmbajtjes së rreme bashkë me Mirafete Hashani-Bislimin, Hilmije Miftarin dhe Ibadete Hashani-Cakajn.

Të gjithë të pandehurit ngarkohen se kanë formuar një grup të organizuar kriminal, secili me rolet e veta specifike, ndërsa Nuhi Uka ka qenë udhëheqës i këtij grupi, vepër kjo e dënuar sipas kodit penal të Kosovës, deri në 500 mijë euro gjobë dhe së paku 10 vjet burgim.

Sipas aktakuzës më 22 shkurt të vitit 2006 dhe 26 korrik të viti 2006, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore Nuhi Uka ia ka caktuar lëndën relevante duke shkelur të gjitha parimet ligjore Sanije Muçollit, për t’ia dhënë pronën në mënyrë të kundërligjshme Ajkuna Hashanit, njëkohësisht duke e dëmtuar Komunën e Prishtinës.

Të martën, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

Edhe Nuhi Uka e mori fjalën.

“Unë u deklarova se jam plotësisht i pafajshëm, gjykohem këtu për shkak se i kam dhënë në punë një lëndë civile një gjykatëseje, ky veprim nuk paraqet as shkelje disiplinore, e lëre më penale”, tha Uka.

Gjyqtari e ndërpreu Ukën me fjalët se çështjet për të cilat ai flet do të shqyrtohen gjatë gjykimit.

Mbrojtja ka të drejtë të paraqesë kërkesën për hedhje poshtë të aktakuzës dhe mospajtimet tjera deri më 17 qershor të këtij viti.

Këtë e konfirmoi edhe Tahir Rrecaj, mbrojtësi i Nuhi Ukës.

<iframe width=”560″ height=”315″ src=”//www.youtube.com/embed/TvJIYTi9UPU” frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe>

“Kemi rreth një muaj afat që të paraqesim kundërshtimet tona lidhur me provat dhe kërkesat tona lidhur me aktakuzën dhe ne patjetër që do ta bëjmë, për shkak se konsideroj se aktakuza e prokurorit nuk është e mbështetur në prova’’, tha Rrecaj. 00:27-00:50 Tahir Rrecaj- avokat i Nuhi Ukës.

Mbrojtja e përsëriti edhe një herë kërkesën që seancat e këtij gjykimi të mbahen në Prishtinë, pasi të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre jetojnë në kryeqytet.

Por vendimin që seancat të mbahen në Prizren, sipas gjyqtarit të këtij rasti e ka marrë kryetari i Gjykatës Themelore të Prizrenit, pasi Nuhi Uka dhe Sanije Muçolli kanë punuar më herët në gjykatën e Prishtinës.

Uka e Muçolli janë duke u gjykuar edhe për shtytje dhe nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore në një rast tjetër, ku dyshohet se dëmtuan ndërmarrjen KBI “Kosova Export” me tjetërsimin e pronave të saj.