Një i Vdekur në Aksidentin Afër Graçanicës

Një autobus dhe një makinë janë ndeshur në magjistralen Prishtinë-Gjilan mëngjesin e së mërkurës.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Flora Ahmeti zëdhënëse e PK-së për Rajonin e Prishtinës tha se sot rreth orës 09:30 minuta ka ndodhur një aksident trafiku.

“Në aksident janë përfshirë një autobus dhe një veturë e markës BMW “ tha Ahmeti.

Sipas Ahmetit vozitësi i makinës ka vdekur.

“Vozitësi i veturës BMW i moshës 69 vjeçare ka vdekur, ndërsa pasagjeri i mitur është dërguar për trajtim në QKUK”, shpjegoi zëdhënësja e Policisë, teksa tregoi se policia dhe ndihma mjekësore kanë dalë në vendngjarje

Basri Lenjani drejtor i Qendrës Emergjente pranë QKUK-së tregoi se po kujdesen për të miturin.

“Nuk bëhet fjalë për lëndime serioze e që janë rrezik për jetë”, tha Lenjani për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sipas Lenjanit i mituri është lënduar lehtë, tregon stabilitet të shenjave jetësore dhe është në trajtim të vazhdueshëm mjekësor.

Pas aksidentit rruga është liruar për qarkullim.