Tre Deputetë Me Akuza Nga Prokuroritë

Prokurorja Laura Pula, koordinatorja nacionale kundër korrupsionit, të enjten derisa prezantoi raportin gjashtëmuajsh të rezultateve të prokurorive kosovare, tregoi se në periudhën nëntor 2013-prill 2014 janë ngritur aktakuza ndaj 216 personave që kryenin funksione nëpër institucione publike dhe ndërmarrje private.

Ajo gjatë konferencës tregoi edhe profesionet e të akuzuarve. Të pandehur sipas saj janë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

“Të pandehur në këto raste janë 3 deputetë, 12 policë, 2 doganierë, 7 avokatë, 1kryetar komune, 2 nënkryetarë komunash, 1prokuror, 1gjyqtar, 4 mjekë, 12 zyrtarë të administratave  dhe 114 zyrtarë të kompanive private përgjegjës për raste të keqpërdorimit të detyrave zyrtare apo veprave penale korruptive”, tha Pula.

Por koordinatorja antikorrupsion nuk foli shumë, kur u pyet nga Gazeta Jeta në Kosovë lidhur me akuzat e ish-deputetit të LDK-së Ismet Beqirit se hetimet kundër kolegut të tij Naser Osmanit ishin të montuara nga qeveria e Kosovës.

Osmani po hetohet në lidhje me një vendim të kundërligjshëm, në kohën kur me pesë anëtarë tjerë të Bordit të AKP-së vendosën që blerësit e fabrikës FAN në Podujevë t’i lirojnë nga zotimet ndaj AKP-së.

Në seancën e Kuvendit të hënën e 5 majit, Beqiri tha se nga gjashtë anëtarë të Bordit të AKP-së, u seleksionuan për t’u hetuar vetëm dy. Me Osmanin po hetohet edhe Bahri Shabani, gjithashtu ish-anëtar bordi.

Por kreu i SLS-së Sllobodan Petroviq dhe tre ndërkombëtarët në bord Lisa Brodey, Hubert Warsmann dhe Muhammed Omran me imunitet diplomatik, nuk janë në mesin e të arrestuarve.

“Është turp, turp, se është proces që shihet qartë së është i motivuar me qëllim të dëmtimit të imazhit të LDK-së dhe anëtarëve të saj para zgjedhjeve nacionale”, tha Beqiri para tri ditësh.

Pula tha se hetimet e rastit të fabrikës “Fan” janë duke vazhduar.

“Është çështje e prokurorit i cili ka hetime, është duke i zhvilluar dhe nuk do të thotë që në një fazë të afërme të mos veprojë sipas fakteve dhe provave që ka në dispozicion nga lënda konkrete”, shtoi Pula, kur iu përgjigj pyetjes pse nuk janë arrestuar të gjithë ish-anëtarët e bordit.

Pula më pas tregoi se me sa raste të reja janë duke u përballur prokuroritë gjatë gjashtëmujorit për të cilin prezantoi raportin.

“Nga data 4 nëntor 2013 deri më 30 prill 2014 kemi pranuar raste të reja në punë dhe atë  215 raste ndaj 402 personave, e tani numri i përgjithshëm i të gjitha rasteve të cilat prokuroritë i kanë në punë është  735 raste me 1081 persona”, shpjegoi prokurorja Pula.

Nga këto 735 raste, sipas Pulës prokuroritë kanë zgjidhur 238, ndërsa në to ishin të përfshirë 616. Zgjidhje janë duke kërkuar edhe edhe 497 raste me 1465 persona.

Prokurorja foli edhe për mënyrën se si këto raste janë zgjidhur.

“Se si prokuroritë kanë zgjedhur këto raste, është se  me 143 persona kanë hudhur kallëzime penale, për 201 persona kanë pushuar hetimet, për 263 persona kanë ngritur aktakuza”, tha Pula.

Ajo përmendi edhe aktakuzat.

“Për 38 persona kanë ngritur aktakuza me dhënien e urdhrit ndëshkimor, për 39 persona kanë ngritur aktakuza të drejtpërdrejta ndërsa për 186 persona kanë arritur  të ngrenë aktakuza, pasi kanë zhvilluar hetimet ndaj tyre”, vijoi Pula.

Pula dha shifrat edhe për luftën kundër korrupsionit në muajin prill

“Prokuroritë gjatë muajit prill 2014 kanë pranuar në punë 30 raste të reja ndaj 60 personave dhe kanë arritur t’i zgjidhin 35 raste ndaj  62 personave”, tha Laura Pula.

Gjatë prillit prokuroritë kosovare kanë hedhur poshtë kallëzime penale ndaj 24 personave, ndaj 18-ve kanë pushuar hetimet, për 19 persona është ngritur aktakuzë pas zhvillimit të hetimeve dhe për një individ tjetër aktakuzë me dhënie të urdhrit ndëshkimor.