Drejtorët Komunalë të Prizrenit Kërkojnë Shfajësim (TV)

Hasan Hasani, drejtor i Shërbimeve Publike, Sadik Paçarizi, ish-drejtor i Urbanizmit, Zekë Tejeci dhe Sokol Hadri inspektorë komunikacioni në Komunën e Prizrenit të marten bashkë me mbrojtësit e tyre paraqitën fjalën përfundimtare, në gjykimin që i ngarkon për keqpërdorin detyre dhe të autoritetit zyrtar dhe vepra tjera penale.

Këta të katër janë vetëm gjysma e të akuzuarve për shitje të automjeteve të konfiskuara nga komuna nën çmimin e tyre real, duke falsifikuar procesverbale.

Në këtë proces gjyqësor po akuzohen edhe Gëzim Gashi – menaxher i parkingut “Euro-AG”, Islam Morina – mekanik, Lulzim Thaçi – tregtar dhe Bujar Berisha- menaxher i kompanisë “Sigal”.

Akuzat tjera me të cilat ngarkohen të tetët janë edhe ato për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim.

Sipas aktakuzës, gjatë muajit gusht të vitit 2010 zyrtarët komunalë në bashkëveprim dhe pa pasur autorizim, i kanë shitur Nysret Morinës, automjetin e markës Mercedes ML 320, me numër të targave 319-KS-777, me një çmim shumë më të ulët sesa vlera reale.

Po ashtu, ata akuzohen se gjatë muajve nëntor- dhjetor të vitit 2009 dhe gjatë muajve gusht- nëntor të vitit 2010, kanë nënshkruar 12 procesverbale me të cilat Nysret Krasniqit, Verim Gashit dhe Nysret Morinës u është mundësuar blerja e makinave me çmim më të lirë.

Të akuzuarit sipas prokurorisë nuk kanë shikuar nëse makinat e konfiskuara janë nën dyshime-hetime, ndërsa nuk kanë kërkuar dëshminë e pagesës së shumës totale nga ana e blerësve, me çka i kanë shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit.

Hazër Susuri, mbrojtësi i drejtorit prizrenas të Shëbimeve Publike Hasan Hasanit fjalën përfundimtare e paraqiti me shkrim, ndërsa kërkoi që për klientin e tij të merret aktgjykim lirues.

Duke u pajtuar me avokatin, Hasan Hasani deshi të sqarohet për opinionin në seancë. Ai tregoi se është shitur Mercedesi ML 320.

“Makinat kur qëndrojnë mbi 6 muaj në parkingje, nga bashkëpunëtorët e mi përgatitet lista për ankand publik dhe për rastin konkret për veturën Mercedes ML 320, kam marrë listën nga kompania ‘Votra’, tha Hasani.

Ai shtoi se nuk ka pasur informacione për ndonjë ndalesë të makinave të konfiskuara.

“Listën e kam nënshkruar duke mos qenë i informuar për ndonjë ndalesë për këto makina, as nga bashkëpunëtorët e mi, as nga policia, prokuroria, e as nga gjykata”, tha Hasani.

I akuzuari më tutje tha se makinat nuk i ka shitur personalisht, por në ankand publik që ka zgjatur 10 ditë. Ai në gjykatë tregoi se sa është shitur makina Mercedes ML 320.

“Makina është shitur 2600 euro, nga ajo shitje komunës i ka takuar taksa prej 20 % që ka qenë 520 euro, ndërsa paratë tjera i ka marrë kompania “Votra” për shkakë të qëndrimit aty” tha Hasani.

Hasani në fund të fjalëve të tij, të martën kërkoi drejtësi nga gjykata.

Mbrojtësi i Hasanit, Hazër Susuri, për Gazetën Jeta në Kosovë aktakuzën ndaj klientit të tij e quajti të pabazë, duke thënë se ka mungesë provash për fajësinë.

“Aktakuza nuk është e bazuar në provat të cilat janë administruar dhe në këtë drejtim nuk ka kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ngase asnjë provë nuk e konfirmoi pretendimin e prokurorit, në veçanti Hasan Hasani dhe të akuzuarit tjerë kanë vepruar në bazë të Ligjit për Auditim, e veçanërisht në bazë të rregullores së brendshme të Komunës së Prizrenit”, tha Susuri.

Edhe Bashkim Nevzati, mbrojtësi i ish-drejtorit Sadik Paçarizi e kritikoi aktakuzën. Tha se ajo ka mangësi të tilla që e bëjnë të pakuptueshme, ndërsa shtoi se gjykata ka mundësi dhe kapacitete që të mbrojturin e tij ta shpallë të pafajshëm.

I akuzuari Paçarizi, tha se gjatë kohës për të cilën akuzohet, nuk është takuar fare me drejtorin Hasani, ai i tha trupit gjykues se kjo është e pakuptueshme dhe është një djallëzi.

“Unë  e di, edhe prokuroria e di se unë jam plotësisht i pafajshëm”, u shpreh Paçarizi.

Fjalën përfundimtare e dhanë edhe mbrojtësit e inspektorëve komunalë Zekë Tejeci e Sokol Hadri. Ata kërkuan nga gjykata që klientët e tyre të lirohen nga akuza dhe të shpallen të pafajshëm.

Më 07 prill, në Gjykatën Themelore në Prizren, fjalën përfundimtare e dha prokurori i rastit Mehdi Sefa, i cili duke u bazuar në parimin më të favorshëm për të akuzuarit, bëri ricilësimin e veprave penale, nga kodi i vjetër në Kodin e ri Penal të Kosovës. Ai kërkoi nga trupi gjykues që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Seanca e radhës, u caktua për datën 8 maj.