Zgjedhjet Mund të Mbahen me Ligjin e Vjetër

Komisioni për Legjislacion gjatë gjithë ditës është duke punuar për të harmonizuar amendamentet përfundimtare të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës që kaloi në lexim të parë në Kuvend në  fillim të muajit prill.

Por ky projektligj mund të mos jetë si pikë e rendit të ditës në seancën e Kuvendit të enjten e 17 prillit, pasi për të ende nuk e kanë dhënë mendimin të gjitha komisionet parlamentare.

“Nuk mund të hyjë nesër në seancë pasi që edhe komisionet e tjera duhet me dhënë mendimin e tyre. Ligji është në procedurë kuvendore, por krejt çka mundem të shtoj është se Komisioni për Legjislacion do ta përfundojë punën e vet, kurse me fazën tjetër merret Kryesia e Kuvendit”, tha Arben Gashi, kryetar i Komisionit.

Sipas Sherif Konjufcës, zëdhënësit të Kuvendit, pasi të kalojë në Komisionin për Legjislacion, Projektligji për Zgjedhjet duhet të shqyrtohet edhe në katër komisione tjera.

“Ai duhet t’i dërgohet Komisionit për Buxhet dhe Financa, Komisionit për Kthim dhe Komunitete, Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Komisionit për Integrime Evropiane”, thotë Sherif Konjufca për Gazetën Jeta në Kosovë.

Por anëtari i Komisionit për Legjislacion nga PDK-ja, Halit Krasniqi, akuzon Arben Gashin për zvarritje të dërgimit të Projektligjit në Kuvend.

“Unë po vërej formula, po vërej eskivazhe të anëtarëve të komisionit dhe të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës që po përpiqen me dalë gjithfarë pengesash që nesër mos të jetë në seancë ky ligj”, tha Krasniqi.

Ardian Gjini, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së tha se nëse zgjedhjet mbahen në qershor, ligji i ri mund të mos jetë gati.

“Është shumë e mundshme që ligji nuk mund të jetë në fuqi për zgjedhjet që vijnë”, tha Gjini.

Sipas Gjinit qershori është shumë afër.

“Afati kohor kur ne po kërkojmë t’i mbajmë zgjedhjet është tepër, tepër afër dhe KQZ-ja nuk mund t’i prodhojë të gjitha aktet nënligjore. Pa këto akte ligji do të jetë i pazbatueshëm”, tha Ardian Gjini.

Fjalët e tij i konfirmoi edhe kryetarja e KQZ-së Valdete Daka.

“KQZ-ja duhet të përgatitet për zgjedhje të parakohshme, plus të bëjë ndryshime që dalin me ligj të ri. Është shumë vështirë, por nëse na thonë që duhet bërë, ne si KQZ duhet të përgatitemi”, tha Valdete Daka për gazetën.

Ajo e përmendi edhe një fakt në favor të mosndryshimit të ligjit për zgjedhjet.

“Jemi në vit elektoral dhe ligji për zgjedhjet nuk duhet ndryshuar në prag të tij”.