Krasniqi: Të Largohen Policët e Përfshirë në Krim

Pas mbledhjes së Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së të mërkurën, shefi i këtij mekanizmi parlamentar Florin Krasniqi, e pranoi se në polici ka persona të lidhur me krimin, kur u pyet nga gazetarët për këtë gjë.

“Esenca e ligjit është për t’i larguar këta njerëz. Në qoftë se nuk arrijmë për t’i larguar kriminelët prej organeve të policisë e të rendit publik, na kemi shumë problem”, tha Krasniqi.

“Këta njerëz” për Krasniqin janë një pjesë e vogël e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

“Ata janë pothuajse krimi i organizuar në Kosovë, ata bëjnë bartjen e parave, bartjen e drogave, ata janë baza e krimit”, shtoi Krasniqi.

Gazeta Jeta në Kosovë kërkoi shpjegim nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani në lidhje me këto deklarata të Florin Krasniqit.

Kelani, deklarimet e Florin Krasniqit se “një pjesë e vogël e zyrtarëve policorë të Njësisë Speciale janë krimi i organizuar” thotë se “nuk qëndrojnë dhe nuk janë të vërteta”.

“Policia e Kosovës është vlerësuar si ndër institucionet më të besuara dhe më transparente në Kosovë dhe atë si nga faktori ndërkombëtar, po ashtu edhe nga faktori vendor”, thotë Kelani.

Por ai i bën thirrje Krasniqit që nëse ka informata për policë të përfshirë në krime të bëjë denoncim.

“Policia e Kosovës i bën ftesë publike kryetarit te komisionit në fjalë që çdo informacion që posedon lidhur me involvimet e mundshme të ndonjë zyrtari policor në vepra të ndryshme penale t’i denoncoje tek institucionet kompetente duke përfshirë edhe Policinë e Kosovës”, shpjegon Kelani.

I ndodhur për raport në një komision tjetër-në atë për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së më 1 prill, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni refuzoi t’i përgjigjet deputetit Anton Çuni të LDK-së për personat e afërt me krimin që janë pjesë e institucionit që drejton.

Maxhuni atëherë tha se për këta zyrtarë mund të fliste vetëm pa praninë e medieve, ndërsa kërkoi që për secilin pjesëtar të forcave të rendit të ketë fakte

Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë deri tash ka pranuar 17 ankesa nga atat që nuk e kanë kaluar verifikimin e  Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Këto ankesa sipas Krasniqit do të shqyrtohen bashkërisht nga anëtarët e Komisionit dhe punonjësit e Departamentit të Verifikimit të AKI-së.

“Ne I kemi marrë 17 ankesa me shkrim. Unë nuk i kam hapur ankesat, ato duhet të hapen në prezencën e komisionit, por unë kërkoj mbështetjen tuaj si anëtarë që këto ankesa mos të hapen këtu, t’i hapim në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë”, tha Krasniqi.

Anëtarët e Komisionit e aprovuan një kërkesë të tillë.

Nënkryetari i Komisionit Fadil Demaku e cilësoi të madh numrin e ankesave.

“Ne duhet t’i diskutojmë me Departamentin për Verifikim në kuadër të AKI-së më saktësisht çdonjërën prej ankesave që ka ardhur në komision që të shohim se kush ka të drejtë”, Fadil Demaku.

Shumica e atyre që nuk kaluan verifikimin e AKI-së, ranë në provimin e konfidencialitetit.

Krasniqi nuk përmendi emrat e atyre që nuk kaluan testin e AKI-së, pasi tha se ankesat e tyre janë në proces gjyqësor dhe emrat nuk bën të zbulohen para se të vendoset me vendim të prerë për këto ankesa.