Arifi Nuk Ndihet Fajtor për “Universalin”

Nexhmedin Arifi, të martën shfaqi mbrojtjen e tij në gjykimin ku po akuzohet për shpërdorim detyre dhe të autorizimit, pasi ekzekutoi një vendim të Kuvendit Komunal të Vitisë në vitin 2008.

Ai në gjykatë pranoi se është e vërtetë që më 1 gusht 2008 e ka nxjerrë një vendim në cilësi të kryetarit të Komunës mbi derajonalizimin e kompanisë “Higjiena” në “Unversal”.

“Inciativa ka qenë e imja dhe këtë vendim e kam mbështetë në Ligjin mbi Vetëqeverisjen Lokale “, tha Arifi.

Neni 58, pika d e këtij ligji në kompetencat e kryetarëve të komunave e fut edhe ekzekutimin e akteve të Kuvendit të Komunës.

Sipas Arifit, Daut Xhemajli që ishte shef i Administratës dhe Personelit ka pasur 95 për qind të kompetencave të kryetarit dhe ingerenca për mbikëqyerjen e drejtorive dhe të gjitha strukturave të punës.

Hajdari në këtë process akuzohet njësoj si Arifi për shpërdorim detyre dhe të autorizimit, ndërsa përveç drejtor drejtorie, ishtre edhe ushtrues detyre I drejtorit të ndërmarrjes “Universal”.

Ish-kryetari i Vitisë shpjegoi pse kishte zgjedhur Hajdarin në krye të ndërmarrjes së re për menaxhimin e mbeturinave të Vitisë.

“Kabil Hajdarin e kam caktuar ushtrues detyre të drejtorit në ndërmarrjen e re ‘Universal’, sepse ishte përgjegjës i njësisë së “Higjienës” në Viti”, tha Arifi.

Prokurori Shaban Spahiu e pyeti Arifin nëse e dinte se vendimi për themelimin e ndërmarrjes së re ishte në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

“Ky vendim ka qenë i ligjshëm dhe i bazuar në  Ligjin mbi Vetëqeverisjen Lokale dhe këtu jam bazuar, ndërsa nuk kam qenë i njoftuar se vendimi ishte në kundërshtim me Ligjin mbi Ndërmarrjet Publike”, tha Arifi.

Neni 11, pika 1 e Ligjit për Ndërmarrjet Publike përcakton që çdo ndërmarrje e tillë mund të themelohet vetëm me vendim të Qeverisë.

Arifi arsyetoi ndarjen e “Universalit” nga “Higjiena” me premtimet e tij parazgjedhore.

“Gjatë fushatës u kam premtuar qytetarëve ofrimin e shërbimeve sa më afër”.

Ai tha gjithashtu se “Universali” kreu më mire shërbimet

“Kur e kemi nda kompaninë ‘Universal’ nga ‘Higjiena’, e deri kur është shfuqizu vendimi, shërbimet ndaj qytetarëve kanë qenë më të mira“, tha Arifi.

Arifi fajëson Daut Xhemajlin

Ministria e atëhershme e Pushtetit Lokal kishte reaguar nëpërmjet një shkrese të drejtuar në Komunën  e Vitisë, duke e cilësuar vendimin e derajonalizimit të paligjshëm.

Arifi thotë ta ketë dërguar për interpretim igjor në komunë këtë shkresë, duke fajësuar ish-drejtorin e Administratës dhe Personelit Kabil Hajdarin, pse nuk i ktheu përgjigje

“Më kujtohet se ka ardhë një reagim nga Ministria e Pushtetit Lokal dhe në momentin që e kam pranu këtë reagim e kam dërgu te shefi i Administratës dhe Personelit e ku kompetencë e tij ishte edhe Zyra Ligjore, por që nuk më ka kthyer përgjigje me shkrim” tha Arifi.

Arifi tha se anuloi vendimin e derajonalizimit, kur kupoi se ndërmarrja “Universal” nuk ka paguar kontributet e punëtorëve në trustin pensional dhe tatimet për ta.

Arifi i tha gjykatës se kishte formuar një këshill mbikëqyrës për ndërmarrjen e re duke ia deleguar kompetencat.

 “Kompetencat i kam deleguar me shkrim te këshilli mbikëqyrës dhe asnjëherë nuk kam marrë informata kthyese  mbi problemet, se  përndryshe sikur e kam marrë vendimin mbi shfuqizim kur e kam kuptuar se ka probleme, të njëjtin vendim e kisha marrë edhe atëherë” tha Arifi.

Ndërmarrja “Universal” funksionoi për tre vjet e palicencuar, e paregjistruar dhe pa numër fiskal. Këtë Arifi tha se nuk e kishte ditur.

“ Nuk kam marrë pjesë në asnjë mbledhje të bordit dhe kur është hapë xhirollogaria bankare e ndërmarrjes kam menduar se gjithçka është në rregull”, tha Arifi.

Me dhënien e mbrojtjes së Nexhmendin Arifit u përmbyll procedura e provave dhe fjala përfundimtare do të jepet më 12 maj 2014.