Sindikalistët e KEDS-it Protestojnë Të Enjten Dhe Të Premten (TV)

“Protestat do të fillojnë të mbahen ditën e enjte dhe të premte me 17 dhe 18 prill, para ndërtesave të çdo distrikti të distribucionit të KEDS-it në shtatë komuna të Kosovës”, tha Fehmi Pajaziti, kryetar i Federatës së Sindikatave të Pavarura “Elektrokosova” (FSPE).

Ai tha se protestat do të mbahen në fillim prej orës 8 e gjysmë deri në orën 10, për të gjithë punëtorët në të gjitha distriktet, të enjten dhe të premten.

Sipas Pajazitit protesta po bëhet pasi që nuk kanë arritur një marrëveshje me KEDS-in.

Kjo sindikatë javën e kaluar i kishte dhënë ultimatum menaxhmentit të KEDS-it që deri me 10 prill të përmbushen kërkesat e punëtorëve të kësaj kompanie, në mënyrë që të evitoheshin protestat e tyre.

“Kemi pasur biseda dy ose tri herë me ta (menaxhmentin e KEDS-it), mirëpo deri te ajo marrëveshje nuk ka ardhur, nuk kemi arritur asgjë prej saj, kështu që kemi vendosur dhe kemi shpallë njoftim për protesta”, tha Pajaziti.

Pajaziti tha se pas kësaj proteste dyditore do t’i japin kohë KEDS-it për dialog dhe kompromis.

“Në qoftë se nuk ka marrëveshje nuk përjashtohet mundësia që të shkohet edhe në radikalizim të mëtutjeshëm, që do të thotë në suaza të ligjit që është e fundit-ligji për grevat”, tha ai.

Pajaziti tha se kanë marrë një letër nga menaxhmenti i  KEDS-it, që sipas tij është një letër kërcënuese.

Në letrën e drejtorit të përgjithshëm të KEDS-it Vedi Yesilkilic thuhet se asnjë protestë e çfarëdo lloji, nuk mund të organizohet brenda hapësirave të KEDS-it, duke  përfshirë hapësirën e brendshme dhe të jashtme.

Zëdhenësi i KEDS-it Guri Shkodra,  i tha Gazetës Jeta në Kosovë se nuk mund të prononcohet rreth kësaj çështjeje, pasi që siç tha ai kompania ende nuk ka marrë një qëndrim unik.

Ai tha se sot ose nesër do të ketë një konferencë për media dhe do të njoftohet publiku lidhur me kërkesat e kësaj sindikate.