Dyshime për Tamiflunë-Luftuesen e Gripit të Derrit

Organizata joqeveritare britanike “Cochrane Collaboration” që merret me hulumtime mjekësore ka nxjerrë online një hulumtim të saj më 10 prill 2014 në të cilin pretendon se efekti i ilaçit Tamiflu është i njëjtë me atë të Paracetamolit.

Organizata është nga Oxfordi me përfaqësi në 120 shtete dhe 31 mijë vullnetarë, ndërsa bari Tamiflu përdoret për luftimin e virusit të gripit të derrit (H1N1).

Ky bar u përshkrua në mënyrë masive nga mjekët kundër gripit të derrave gjatë vitit 2009, me rekomandimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Shkencëtarët e organizatës që njihen si ekip i pavarur ekspertësh thanë se Britania ka humbur 500 milionë funta për blerjen e Tamiflusë, ndërsa i rekomanduan shtetit të tyre që kur t’u dalë afati stoqeve të blera, të mos përsërisin blerjet e këtij bari.

Carl Heneghan profesor i mjekësisë provuese në Universitetin e Oksfordit dhe njëri ndër autorët e raportit, ditën kur u publikua hulumtimi, i tha BBC-së “ Mendoj se këto 500 milonë nuk i kanë ndihmuar shëndetit të njeriut dhe kanë dëmtuar njerëzit.

Britania shpenzoi për Tamiflu 473 milionë funte, ndërsa “Cochrane Collaboration” erdhi në përfundim se Paracetamoli do ta kishte ndikim të ngjashëm kundër gripit H1N1.

Virusi H1N1 | Foto: Wikipedia
Raporti shpjegon se Tamifluja vetëm ka zvogëluar për gjysmë dite shfaqjen e shenjave të gripit.

“Ilaçi ka reduktuar rezistencën e simptomeve të gripit prej shtatë ditë në 6.3 ditë te të rriturit, ndërsa te fëmijet në 5.8 ditë”, thuhet në publikimin e organizatës.

Sipas “Cochrane Collaboration” Tamifluja nuk ka parandaluar komplikimet dhe përhapjen e gripit të derrit.

Epidemiologu Tom Jefferson thotë: ” Nuk do e jepja për lehtësime [Tamiflunë], për këtë gjë do e jepja Paracetamolin.

Tamiflunë e prodhon kompania farmaceutike zvicerane “Roche”. Prodhuesi i ilaçit dhe disa ekspertë thonë se hulumtimi i organizatës britanike është e mangët.

Por edhe drejtori i Klinikës Infektive në Prishtinë Shemsedin Dreshaj ende beson në Tamiflunë.

“ Qe tetë ditë nuk kemi pacientë të prekur nga gripi H1N1 dhe ne do t’i trajtojmë pacientët me “Tamiflu”, përderisa Qendra për Kontrollim dhe Trajtim të Sëmundjeve Infektive – CDC dhe OBSh-ja nuk dalin me rekomandime tjera”, thotë Dreshaj.

Dreshaj i di kufizimet e këttij bari, por thotë se sipas përshkrimit të prodhuesit Tamifluja efektet më të mira i mbërrrin nëse përdoret në 72 orët e para të shfaqjes së gripit të derrit te pacientët.

“ Në rast se terapia te këta pacientë fillohet pas ditës së pestë të shfaqjes të simptomave të sëmundjes, suksesi i këtij bari është i kufizuar”, shpjegon Dreshaj.

Ai lavdëron Tamiflunë për efekte të parëndësishme anësore.

“Atë që mund të them me kompetencë është se që nga viti 2009 kur kemi evidentuar rastet e para me gripin H1N1 e deri më sot, efektet anësore të Tamiflusë kanë qenë të pakta dhe të parëndësishme”, vijon Dreshaj.

Por pikërisht për efekte anësore e kritikon këtë bar organizata “Cochrane Collaboration”. Ajo thotë në hulumtim se edhe pse të gjitha efektet negative të barit nuk janë zbuluar, Tamifluja ndikon keq në veshkë dhe shkakton problem psikiatrike.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti thotë se Kosova për Tamiflu ka shpenzuar 30 mijë euro.

“Ministria e Shëndetësisë së Kosovës nga viti 2010  e deri më sot ka shpenzuar rreth 30.000 euro [për Tamiflu]”, thotë Hoti. Ai shpjegon se një pjesë të këtij ilaçi Kosovës iu dha si donacion nga prodhuesi.

“Një pjesë të këtij ilaçi,Ministria e ka pasur donacion nga kompania përfaqësuese(Roche) për Kosovë e prodhuesit “Roche”, tregon Hoti.

Ai i gëzohet faktit se në Kosovë nuk janë krijuar stoqe të Tamiflusë.

 “Duket që disa shtete kur pati shpërthyer epidemia e gripit të derrit më 2009 kanë porositur stoqe të mëdha të këtij ilaçi duke shpenzuar miliona, diçka që për fat të mirë nuk i ka ndodhur Kosovës”, thotë Hoti.

Ai deklaron se Kosova ka ende Tamiflu për rastet eventuale të gripit të derrit.