Padi e Re Për Ramadan Mujën (TV)

Në seancën e Kuvendit Komunal të 10 prillit, Ramadan Muja ia ka ndërprerë fjalimin Osman Hajdarit nga Bashkimi Demokratik, duke i thënë “Mshele gojën se me ba me të përfshi unë përpara ty qysh të njoh…”.

Për këto fjalë Hajdari e ka paditur Ramadan Mujën të hënën në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.

Në padinë e tij Hajdari thotë se Muja, e ka kërcënuar me fjalët “ruaju se me bë me të përfshi përpara qysh të njoh”.

Osman Hajdari, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se padinë e ka dorëzuar në prokurori, ndaj kryetarit Muja, për shkak se më datën 10 prill, ai e kishte kërcënuar para 41 këshilltarëve komunalë të Kuvendit të Prizrenit.

“Sot në Prokurori kam ardhur me e bo një padi penale ndaj kryetarit të komunës Ramadan Mujës për kërcënimin publik që ma ka bo më datën 10 prill në seancën e asamblesë komunale. Saktësisht ka përdorur një fjalor kërcënues, ‘ruju se me bo me t’përfshi përpara’”, tha Hajdari.

Hajdari, thotë se ka pritur që Muja, ta tërheq fjalën, apo të kërkojë falje publike, gjë që nuk ka ndodhur.

“Kam pritë më shumë se 3-4 ditë, ai nuk ka bërë as tërheqje të fjalës publike, as nuk më ka kërku falje publike, për këtë arsye unë kam vendosë me ndjek rrugën ligjore, me bo një padi penale, edhe ai me dhënë sqarim pse ka vendosë me e përdor sidomos fjalën ‘ruju’”, tha Hajdari.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, konfirmoi që prokuroria ka pranuar padi të re kundër kryetarit Muja.

Hoxha tha se me rastin do të procedohet në afat të shpejtë.

“Për neve ajo ka qenë seancë e asamblesë, do t’i mbledhim të gjitha informatat e duhura dhe pastaj do të shohim se a do të kemi nevojë me e ngritë aktin akuzues, apo duhet me i pushu hetimet, nuk po muj me presupozu që tani, mirëpo veprimet do t’i marrim në afatin sa më shkurtë”, tha Hoxha.

Nga ana tjetër, këshilltari politik i Mujës, Ymer Berisha, tha se komuna vlerëson që në rastin konkret nuk ka pasur kanosje.

Sipas tij, kryetari vetëm ka dashur t’i tërheq vërejtjen deputetit Hajdari që të distancohet nga fjalori i përdorur.

Berisha mendon se Hajdari qëllimisht ka dashur ta ngacmojë kryetarin Muja.

“Absolutisht, ai është zhargon, kështu në folje e sipër, se ne jo çdo herë jemi në lartësinë e përgjegjësisë së fjalorit, duke dashur me i tërheq vërejtjen i ka thënë ‘ruju se edhe unë kam informacione për ty që s’je bash shumë korrekt edhe me punën’…Tashti interpretimi mundet me u dhënë çfarë të duash, mirëpo ai ka dashur vetëm t’i tërheq vërejtjen që z.Hajdari të tërhiqet nga fjalori ofendues në drejtim të kryetarit Muja”, thotë Berisha.

Gjykata Themelore e Prizrenit më 13 mars i ka shqiptuar Mujës dënim me burgim prej dy vjetësh, me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve, për shpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar.

Përveç tij në të njëjtën lëndë janë dënuar edhe 5 zyrtarët tjerë komunalë të cilët morën gjithashtu dënime me kusht, por më të vogla.

Veç kësaj, Muja do ta ketë të ndaluar edhe ushtrimin e funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Për këtë Muja është ankuar në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.