Tribunali Mund të Votohet të Enjten në Kuvend

Në seancën e ardhshme të Kuvendit e cila do të mbahet të enjten më 17 prill mund të votohet edhe për themelimin e Tribunalit Ndërkombëtar për Krime të Luftës së  UÇK, nëse presidentja Jahjaga ia dërgon kërkesën Kuvendit të Kosovës para ditës së enjte.

Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi tha se çështja e tribunalit mund të hyjë si pikë e rendit të ditës në seancën e radhës.

“Ende nuk e kemi marrë materialin për tribunalin, por nëse bëhet materiali gati me vullnetin e Kuvendit, grupet parlamentare mund ta radhitin si pikë të rendit të ditës”, tha Krasniqi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, nuk e përjashtoi një mundësi të tillë, duke u ankuar se Kosovës i janë lënë shumë pak opsione për gjykatën.

“Ekziston mundësia që të vijë letra nga presidentja e cila do të duhej të shndërrohej në një projektligj. Jemi para një vendimi jashtëzakonisht të rëndësishëm, por me pak mundësi manovrimi, në mes dy opsioneve që janë ofruar në tavolinë”, tha Beqiri.

Para një jave, pikërisht pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Beqiri tha se gjykatën që pritet të hetojë krimet e pretenduara të UÇK-së dhe akuzat e Dick Martyt të Këshillit të Evropës nga viti 2010, ose duhet ta themelojë Kuvendi i Kosovës, ose Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Tribunali-keq ose mirë për Kosovën

Edhe Ardian Gjini, drejtuesi i Grupit Parlamentar të AAK-së tha se nuk dihet nëse presidentja do të kërkojë këtë javë nga Kuvendi që tribunali të jetë në agjendën e seancës.

Edhe nëse kjo ndodh, sipas Gjinit, nuk po bëhet për individë e politikanë, por për Kosovën.

“Nuk po e bëjmë këtë për Kuvendin e as për veti, as për ndonjë politikan specifik, as për një njeri specifik, po e bëjmë për Kosovën, çka do që të ndodhë, do të ndodhë mirë ose keq për Kosovën”, shtoi Gjini.

Zëdhënësi i Presidencës dhe këshilltari politik i Jahjagës, Arbër Vllahiu, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se presidentja do ta dërgojë kërkesën në Kuvend, pasi të mbyllet komunikimi i saj me BE-në për tribunalin.

“Letra e presidentes së Republikës së Kosovës i është dërguar BE-së dhe pritet përgjigja nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri. Pasi të jetë kryer letërkëmbimi, letra do t’u dërgohet institucioneve përkatëse”, shpjegon procedurat Vllahiu.

Ai thotë se “presidentja siguron bashkërendimin institucional në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, pa saktësuar se kur letra e të parës së shtetit do t’i shkojë Kuvendit.

Për t’u koordinuar rreth tribunalit dhe vazhdimit të misionit të EULEX-it, presidentja Jahjaga të premten u takua me shumicën e krerëve të subjekteve politike kosovare. Ajo mbajti takime me Hashim Thaçin, Isa Mustafën, Albin Kurtin, Behgjet Pacollin dhe Sllobodan Petroviqin e SLS-së.

Bashkëbiseduesit i njoftoi se i ka shkruar letër baroneshës Ashton për tribunalin dhe misionin evropian. 

“Në letrën drejtuar baroneshës Ashton do të kërkoj vazhdimin e misionit të EULEX-it dhe nevojën e themelimit të Gjykatës së Kosovës me selitë brenda dhe jashtë vendit, për të adresuar akuzat e ngritura në raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2010”, tha Jahjaga pas takimeve me liderët tjerë.

Ajo nuk mundi ta bindtte Albin Kurtin se tribunali është i nevojshëm.

Glauk Konjufca i “Vetëvendosjes”, pas mbledhjes së Kryesisë, duke kundërshtuar tribunalin, i quajti politikanët e subjekteve tjera të shantazhuar.

“Kemi politikanë të shantazhuar  të cilët duke qenë se i kanë duart e lidhura, nuk po munden ta mbrojnë interesin shqiptar në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Konjufca.

Ai shtoi se do të duhej të ndodhte një jo e fuqishme e spektrit politik të vendit për tribunalin.

“Do të duhej të ndodhte koordinimi i të gjitha subjekteve politike në Kosovë për t’ia thënë një jo të fuqishme, një kundërshtim të koordinuar i gjithë spektri politik kundër krijimit të kësaj gjykate speciale”, shtoi Konjufca.

Në Kuvend pritet të diskutohen të enjten edhe: shqyrtimi i parë i Projektligjit për Komisionarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për Forcën e Sigurisë dhe Policinë e Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Regjistrimin e Bujqësisë dhe emërimi i anëtarit të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës.