Dënohet Për Lëndim të Familjarëve (TV)

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë në janar të vitit 2013 ndaj Shefqet Fazliut, me pretendimin se në janar të vitit 2013 i akuzuari  ka tentuar ta godasë djalin e vëllait dhe pas ndërhyrjes së kunatës së tij, tash të dëmtuarës Sevdie Fazliu, ka goditur atë dhe është nisur edhe në drejtim të vëllait të tij Ali Fazliut, me ç’rast të dyve u kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore.

I akuzuari e pranoi fajësinë dhe gjykatës ia dorëzoi dokumentacionin mjekësor ku ai përcaktohet si person me aftësi të kufizuara psikike.

I dëmtuari Ali Fazliu tha para gjykatës se nuk i bashkohet ndjekjes penale ndaj të vëllait dhe kërkoi nga gjykata që Shefqet Fazliun ta lirojë nga aktakuza.

Por e këtij mendimi nuk ishte, prokurorja Bukurie Gjonbalaj, e cila kërkoi nga gjykata që të akuzuarin Shefqet Fazliu ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

Gjyqtari shpalli fajtor të akuzuarin Shefqet Fazliun dhe e dënoi me dy muaj burgim me kusht që brenda një viti të mos shkaktojë vepër tjetër penale.