Përleshje Mes dy Zyrtarëve të Komunës së Suharekës

Më 4 prill në përfundim të orarit të punës në Drejtorinë e Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Mërgatës të Komunës së Suharekës ka ndodhur një përleshje fizike.

Në të janë përfshirë dy zyrtarë të kësaj drejtorie, vetë drejtori Nuhi Llugaxhiu dhe drejtori i Mërgatës Xheladin Sadikaj. Përleshja ka ndodhur në zyrën e këtij të fundit.

Të dy fajësojnë njëri-tjetrin për përleshjen.

Sadikaj thotë se drejtori i ka hyrë në zyrë dhe e ka sulmuar me një kabllo kompjuteri.

“Më është futur drejtori në zyrë dhe më ka sulmuar me një gajtan të kompjuterit dhe në atë moment  në vetëmbrojtje e kam shtyrë drejtorin dhe është thyer një fotografi, ku pjesët e xhamit i kanë ra në kokë dhe nga kjo ka marrë lëndime”, thotë Sadikaj për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Por drejtori Llugaxhiu rastin e shpjegon ndryshe.

“Në momentin që jam futur në zyrë me ka sulmuar me një mjet metalik në kokë, ku kam marrë  lëndime dhe tash i kam 5 penj në kokë”, thotë Llugaxhiu.

Të përfshirët në përleshje përmendin shkaqe të ndryshme të nisjes së saj.

“Drejtori ditën kritike, me ka thënë se më nuk je pjesë e drejtorisë sime, pasi do të hapi konkurs për pozitën tënde”, tregon arsyen pse nisi sherri, drejtori i Mërgatës Sadikaj.

Llugaxhiu jep një version tjetër. Përmend se ia ka shqiptuar një vërejtje vartësit të tij Sadikaj dhe kjo ka shkaktuar konfrontimin fizik.

“Fillimisht zyrtari i Mërgatës Xheladin Sadikaj ka ardhur në zyrën time i frustuar  duke më kërcënuar dhe duke kërkuar që t’i hiqet vërejtja e shqiptuar. Fillimisht e kam qetësuar situatën dhe pas pesë minutave kam shkuar në zyrën e tij për t’u sqaruar lidhur me situatën paraprake dhe në momentin që jam futur në zyrë më ka sulmuar”, jep versionin e tij Llugaxhiu.

Sadikaj mohon të ketë marrë vërejtje nga shefi i tij, por thotë ta ketë lajmëruar kryetarin e komunës për sjelljet e këqija të Llugaxhiut.

“Nuk e kam kërcënuar Llugaxhiun. Ai ka hyrë në zyrën time dhe më ka pyetur pse e kam lajmëruar kryetarin, duke më goditur me gajtan”, shpjegon Sadikaj. 

Incidentin mes dy zyrtarëve të komunës e konfirmon edhe Policia e Kosovës.

“Më 4 prill rreth orës 16:00, policia është njoftuar se në Drejtorinë e Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Mërgatës, ka ndodhur një sulm fizik mes drejtorit të kësaj drejtorie Nuhi Llugaxhiu dhe zyrtarit të Mërgatës Xheladin Sadikaj. Të njëjtit nga përleshja në mes veti kanë marrë lëndime trupore”, thotë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit Hazir Berisha.

Të përfshirët në rrahje sipas Berishës më vonë janë liruar nga prokurori në procedurë të rregullt. Berisha thotë se Policia e Kosovës pas raportit të hartuar viktimë të këtij rasti e konsideron drejtorin e Mërgatës Xhealdin Sadikajn. 

Më këtë nuk pajtohet drejtori i Drejtorisë së Kulturës Nuhi Llugaxhiu.

“Ky raport është subjektiv, i njëanshëm dhe joprofesional”, thotë Llugaxhiu.

Edhe kryetari i Komunës së Suharekës Sali Asllanaj ka marrë masa selektive ndaj dy të përfshirëve në qërim hesapesh mes vete. Ai e ka suspenduar drejtorin e Mërgatës, ndërsa ndaj drejtorit të Kulturës nuk ka marrë masa ndëshkuese.

Këtë e pohon edhe zëdhënësi i komunës Reshat Reshitaj. 

“Zyrtarit i është lëshuar një suspendim, ai është suspenduar dhe është dërguar në komisionin disiplinor, ndërkohë drejtorin e kulturës [kryetari] do ta ftojë që ta japë një deklaratë”, thotë Reshitaj për gazetën.

Zëdhënësi nuk e di arsyen pse ka ndodhur kjo kacafytje. Xheladin Sadikajt i duket se i është bërë e padrejtë.

“Kjo është e palogjikshme, pasi viktima është suspenduar, ndërsa sulmuesi endet i lirë në komunë. Është dashur të suspendohemi të dy derisa të kryhen hetimet e para”, përfundon Sadikaj.