Presidentja Fton Krijimin e Tribunalit dhe Vazhdimin e EULEX-it

“U pajtuam për arritjet tona në zhvillimin e sektorit të sundimit të ligjit dhe bartjes së kompetencave në institucionet e Kosovës. Ne gjithashtu diskutuam rëndësinë e vazhdimit të mandatit të EULEX-it deri në qershor të vitit 2016”, tha Jahjaga pas përfundimit të takimit.

E para e vendit tregoi se në këtë takim diskutuan edhe për themelimin e Tribunalit në Kosovë.

“Në letrën drejtuar baroneshës Ashton do të kërkoj vazhdimin e misionit të EULEX-it dhe nevojën e themelimit të Gjykatës së Kosovës me selitë brenda dhe jashtë vendit, për të adresuar akuzat e ngritura në raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2010”, pohoi Jahjaga.

I pakënaqur me këto zhvillime është shprehur gjatë takimit me presidenten lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.  Ai tha se ka kërkuar që të ketë një Tribunal për Serbinë për krimet që ka bërë në Kosovë dhe sipas tij themelimi i një Tribunali në Kosovë do të dëmtojë rëndë imazhin e vendit. 

Sipas tij, dihet që tribunalet ndërkombëtare krijohen për krime të gjenocidit, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e agresionit. 

“Nuk ka tribunale ndërkombëtare as për trafikim organesh e madje as për terrorizëm…Hetimet për trafikimin e organeve në bazë të pretendimeve të Marty’t nuk mund të përfundojnë aq kollaj në tribunal ndërkombëtar. Prandaj, duke e ditur që janë të pasigurtë që Këshilli i Sigurimit mund ta bënte një gjë të tillë, ne po ndodhemi në situatën me një trysni kaq të madhe që këtë gjë ta bëjë Kuvendi i Republikës në fund të javës që vjen”, tha Kurti.

Sipas tij votimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës për këtë gjykatë të veçantë, është çek blanko.

“Sepse ne nuk e kemi materialin e mjaftueshëm që të dimë se çka do të votohet për dhe çka do të votohet kundër”, tha Kurti.

Ndër tjerash Kurti tregoi se gjatë këtij takimi është diskutuar edhe për vazhdimin e misionit të EULEX-it në Kosovë për të cilin u shpreh po ashtu kundër.

Ndërsa lideri i AKR-së Behgjet Pacolli, njëherësh zëvendëskryeministër, pas këtij takimi pohoi se është e dhimbshme që Kuvendi i Kosovës ta miratojë themelimin e Tribunalit, por sipas tij nuk ka tjetër zgjidhje.

“Janë dy çështje: ose do ta votojë Parlamenti i Kosovës ose do të imponohet nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe unë besoj se është më pak e dhimbshme ta kërkojmë vetë, ta miratojmë vetë dhe AKR-ja të jetë konstruktive në këtë drejtim”, tha Pacolli.

E zëvendëskryeministri tjetër i Kosovës, njëherësh edhe kryetar i Partisë Liberale Serbe, Sllobodan Petroviq tha se deputetët e këtij subjekti politik do të votojnë për themelimin e Tribunalit dhe vazhdimin e mandatit të EULEX-it.

“Përfaqësuesit serbë që janë pjesë e Kuvendit do të votojnë edhe për Tribunalin edhe për vazhdimin e mandatit të EULEX-it. Kjo është në të mirë të Kosovës”, tha Petroviq.

Kryetari AAK-së, Ramush Haradinaj nuk është paraqitur në takim me presidenten Jahjaga dhe partia e tij nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar rreth kësaj.

As Kryetari i PDK-së dhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ashtu sikurse kryetari i LDK-së Isa Mustafa, nuk janë prononcuar për media pas takimit me presidenten.

Qeveritarët kosovarë janë shprehur vazhdimisht kundër zgjatjes së mandatit të EULEX-it dhe kundër krijimit të një Tribunali për të hetuar akuzat e Dick Martyt. Por ditëve të fundit është vërejtur një ndryshim i madh në këto qëndrime.

Ndërsa Haradinaj është shprehur pro këtij tribunali më herët.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi të hënën ka adresuar kritika ndaj presidentes Jahjaga duke thënë se ajo është zgjedhur nga partitë politike dhe është dashur të konsultohet me to para se të deklarohej për themelimin e Tribunalit.

“Keni pasur një obligim kushtetues e njerëzor të konsultoheshit me liderët e atyre partive dhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, e tek pastaj të deklaroheshit për ose kundër, Tribunalit (Gjykatës) për krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së”, pati shkruar në faqen e tij në Facebook, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Presidentja e bëri këtë konsultim katër ditë më pas.