Pylltari Akuzohet Për Kanosje (TV)

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë kundër Skender Gjelit në nëntor të vitit 2013 me pretendimin që i njëjti e ka kërcënuar Nasuf dhe Abaz Kurrumelin nga fshati Gllanasellë i Drenasit  të cilët e kishin blerë një pronë nga AKP-ja.

Në këtë pronë përfshihet edhe një parcelë mali, për të cilën pretendon pronësi Gjeli.

Sipas aktakuzës, Skender Gjeli u kishte thënë të dëmtuarve se kishte shtatë vëllezër dhe se do t’i vriste deri në mashkullin e fundit.

Skender Gjeli gjatë seancës nuk e pranoi fajësinë dhe  mohoi t’i ketë kërcënuar vëllezërit Kurrumeli, duke hedhur poshtë në këtë mënyrë edhe deklaratën e tij dhënë më herët në prokurori.

Por ai tha po ashtu se nuk do të heqë dorë nga pronësia e malit.

 Gjeli tha se këtë mal e ka familja e tij prej viteve shtatëdhjetë, por nuk dha shpjegime se si ka ardhur deri tek pronësia e këtij mali

Në anën tjetër, i dëmtuari Nasuf Kurrumeli tha se për pronën e blerë nga AKP-ja në nëntor të vitit 2013, posedon dokumentacionin e duhur.

“Kemi qenë duke  vendosur pikat me gjeodetë, bashkë me vëllezërit e mi Lulzimin dhe Sabitin, kur ka ardhë Skender Gjeli dhe na tha se ‘tokën e keni blerë e mali është i imi’ dhe deklaroi se ‘prej nestrit në mal nuk bën me hi as lopët dhe kanë ta za nuk e lëshoj’ dhe atë  duke bërtitur”, dëshmoi  Nasuf Kurrumeli.

Në gjykatore u paraqitën edhe dëshmitarët, gjegjësisht vëllezërit dhe babai i të dëmtuarit, të cilët dëshmuan se ishin kërcënuar.

Në fjalën përfundimtare prokurorja kërkoi nga gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit, pasi që edhe nga dëshmia e dëshmitarëve u vërtetua se i njëjti e ka kryer këtë vepër penale që i vihet në barrë.

Skender Gjeli në fjalën përfundimtare kërkoi drejtësi dhe absolutisht jo mëshirë.

Vendimin gjyqtari do t’u dërgojë palëve brenda afatit ligjor.