Nuk e Pranojnë Fajësinë Për Mashtrim në Zgjedhje (TV)

Në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore të Pejës nisi të enjten shqyrtimi fillestar kundër shtatë të akuzuarve për mashtrim zgjedhor.

Ata akuzohen nga prokuroria e këtij qyteti se në ditën e zgjedhjeve parlamentare më 12 dhjetor 2010, në cilësinë e komisionarëve në një vendvotim të Klinës  kanë bërë këtë mashtrim.

Sipas prokurores Saide Gashi, të pandehurit akuzohen se në orët e pacaktuara të ditës së zgjedhjeve në vendvotimin numër 0807C/01R në Klinë kanë falsifikuar rezultatet e votimeve duke u shtuar dhe hequr votat kandidatëve te ndryshëm të subjekteve politike.

Prokuroria dyshon se të shtatët kanë manipuluar 1 mijë e 454 vota. Kjo ka rezultuar nga raporti i auditimit, pas numërimit të votave nga KQZ-ja.

Në këtë vendvotim kryesues ishte Bashkim Bajraktari, ndërsa përgjegjës për mbarëvajtjen dhe ligjshmërinë e procesit zgjedhor qenë Musli Hoti, Besmir Doqi, Muhamet Quprevaj, Zenel Havolli, Egzon Dushi dhe Asllan Prekadini.

Të enjten gjyqtari Sylë Lokaj ua lexoi këtyre të pandehurve aktakuzën duke i pyetur se a e kuptonin se për çka ngarkoheshin dhe duke kërkuar deklarimin e tyre se si e ndiejnë veten ndaj akuzave.

Të pandehurit thanë se e kuptojnë aktakuzën, ndërsa u deklaruan të pafajshëm.

Seanca e radhës lidhur me ketë rast do te caktohet pasi qe te pandehurit të paraqesin kërkesë për hedhjen e akuzës, dhe provat te cilat e vërtetojë te kundërtën e asaj qe është thënë ne akuzë.