Ceca Shfajësohet nga Gjykata

Gjykata Themelore e Beogradit të mërkurën vendosi që Svetllana Razhnjatoviq dhe dhëndri i saj Predrag Ocokoljiq, të dy nga klubi Obiliq nuk kanë kryer aktin kriminal të “bullying-ut”, një formë e dhunës fizike dhe psikologjike dhe as nuk kanë kërcënuar Aleksandar Olareviqin, kreun  e klubit futbollistik “Proletari i Ri” (Mladi Proleter) në vitin 2007.

Prokuroria ka të drejtë të ankohet për vendimin në Gjykatën e Apelit në Beograd.

Sipas aktakuzës, Razhnjatoviq kërcënoi Olareviqin, ndërsa Ocokoljiq e goditi atë. Incidenti raportohet se ndodhi gjatë marrjes së pronësisë ndaj “Proletarit të Ri”. Razhnjatoviq dhe Ocokoljiq mohuan kërcënimin dhe sulmin ndaj Olareviqit.

Ata insistuan se vizituan Olareviqin si përfaqësues të klubit futbollistik “Obiliq” për t’ia dërguar atij vendimin e Ministrisë së Sportit.

Sipas këtij vendimi, të cilin Olareviq refuzoi ta pranojë, klubi futbollistik “Proletari i Ri” do të vihej nën juridiksionin e klubit “Obiliq” dhe do të riemërtohej “Obiliqi i Ri” (Mladi Obiliq)

Para verdiktit, prokurori në fjalën e tij përfundimtare kërkoi që Razhnjatoviq ta marrë gjobën maksimale, derisa për Ocokoljiqin kërkoi dënim me kusht.

Vendimi i së mërkurës shkaktoi grumbullimin e adhuruesve të këngëtares përballë ndërtesës së gjykatës në mëngjes për ta mbështetur atë. Shumica ishin nxënës që lëshuan orët e mësimit.

Razhnjatoviq tha se ishte e kënaqur me vendimin. “Më në fund një gjykatë më liroi mua”, tha ajo duke iu referuar vendimeve të mëparshme gjyqësore.

Në prill të 2011-ës, këngëtarja u shpall fajtore për akuzat e përvetësimit të fondeve të krijuara nga transferet e lojtarëve të Obiliqit në klubet e jashtme dhe për posedim të paligjshëm të armëve të zjarrit.

Ajo atëherë pagoi një gjobë prej 1 milion e gjysmë eurosh, në vend se të shkonte në burg.

Ajo ka në pronësi klubin që nga vrasja e shefit famëkeq të mafias dhe ish-liderit të paramilitarëve Zheljko Razhnjatoviq- “Arkan”, të cilin e kishte burrë.

“Arkan” akuzohej për kryerjen e mizorive në luftërat e viteve ’90.