“Plenumi” Kërkon Dorëheqjen e Qeverisë së Federatës Boshnjake

Pjesëtarët e plenumeve nga dhjetëra qytete të Federatës, njërit nga dy entitetet e Bosnjës, u mblodhën të mërkurën përballë ndërtesës së qeverisë në Sarajevë dhe lexuan kërkesat e tyre, duke nisur nga kërkimi i dorëheqjes së Qeverisë Federative.

Qeveria ndërkohë mbajti mbledhjen e saj në Mostar, derisa ndërtesa qeveritare në kryeqytetin e Federatës ishte e rrethuar nga dhjetëra policë.

Plenumi, një organizatë që nuk i dihen themeluesit, gjithashtu kërkoi që procesi aktual i privatizimit të ndalojë dhe të gjitha privatizimet e zhvilluara deri tash të rishikohen.

 “Ne jemi mbledhur këtu që në mënyrë paqësore të shprehim kundërshtimin tonë”, tha një protestuese me megafon. “Këto kërkesa janë … çështje prioritare që përmbajnë nevojat elementare të të gjithë neve”, shtoi ai.

Ajo shtoi se kërkesa për dorëheqjen e qeverisë së Federatës është miratuar nga të gjitha takimet e mbajtura në disa qytete të etnitetit.

Kërkesat tjera ishin që të gjitha akuzat e ngritura kundër pjesëmarrësve në protestat e rrugës të hidhen poshtë, ndërsa zyrtarët e zhveshur nga të gjitha përfitimet të marrin pagë për një vit, pasi të largohen nga puna. 

Autoriteteve gjithashtu iu sugjerua që të ndryshojnë ligjin për tatime, në atë mënyrë që qytetarët të paguajnë taksa në varësi nga pasuria që kanë dhe tatimet e gjërave themelore ushqimore të hiqen.

Protestuesit erdhën në Sarajevë nga Zenica, Mostari, Konjiqi, Maglaji, Srebreniku, Zavidoviqi, Fojnica dhe qytetet tjera.

Protestat në Bosnjë filluan në qytetin verior të Tuzllës më 5 shkurt, kur disa qindra punëtorë të larguar nga puna nga kompani të mëdha rajonale që ishin privatizuar dhe mbyllur, dolën në rrugë.

Protestat pastaj u zgjeruan dhe u bënë të dhunshme, duke shkaktuar djegie objektesh në Tuzëll, Zenicë, Mostar dhe Sarajevë, mes tyre edhe ndërtesën e Presidencës Boshnjake, ku ruhet arkivi i shtetit.

Katër ministra kantonalë të federatës dhanë dorëheqje pas protestave.