Partitë në Maqedoni Përdorin Burimet Publike Për Fushatë

Pak ditë, para se të mbahet raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale dhe në fillim të fushatës për  zgjedhjet e përgjithshme, monitoruesit prej Qendra për Liri (CIVIL), kanë thënë se partitë politike po vazhdojnë të keqpërdorin burimet publike dhe resurset për aktivitete elektorale.

OJQ-ja CIVIL e bëri këtë pohim të mërkurën gjatë prezantimit të raportit me gjetjet paraprake për fushatën zgjedhore.

CIVIL tha se një kryetar i komunës duke mos e bërë të ditur emrin e tij ka përdorur makinën e komunës dhe ka shkuar në Itali për të marrë pjesë në fushatë, për t’i bindur maqedonasit që të votojnë për partinë VMRO DPMNE.

“Gjatë kthimit, makina u prish në kufirin Slloveni-Kroaci dhe rreth 5000 euro janë paguar nga buxheti komunal për dëmin dhe për të transportuar mjetin përsëri në Maqedoni,” thanë vëzhguesit e CIVIL-it.

CIVIL së bashku me një OJQ lokale Most, ka siguruar shumicën e vëzhguesve të brendshëm gjatë disa palë zgjedhjesh të organizuara në vend.

“Monitoruesit tanë, ngjashëm me disa media, kanë raportuar rreth rastit në Prilep, ku një makinë e ndihmës së shpejtë, ka parakaluar nëpër qytet me një flamur të ngjitur të VMRO DPMNE-së”, theksoi CIVIL.

Pas raportimit dhe publikimit të fotove të incidentit nga ana e medieve, përfaqësues nga spitali i Prilepit kanë thënë se do të dënojnë stafin që e ka keqpërdorur këtë makinë.

 Një tjetër pikë shqetësuese, sipas vëzhguesve të CIVIL-it, është fushata politike në shkolla.

CIVIL, ngjashëm me disa media, ka raportuar se posterët e partisë shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), janë shfaqur nëpër klasë të shkollës së mesme “Cvetan Dimov” në Shkup.

Po ashtu, mediet në gjuhën shqipe kanë raportuar  se materiali promovues  për BDI-në është shfaqur edhe në hyrjen kryesore të Universitetit Shtetëror të Tetovës që financohet nga shteti.

Maqedonia do të mbajë zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme dhe ato presidenciale gjatë prillit. Më 13 prill maqedonasit do të zgjedhin midis katër kandidatëve për president.

Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale që do të mbahet me 27 prill, së bashku me zgjedhjet e parakohshme,  do t’i vë përballë njëri-tjetrit dy kandidatët për kryetar më të votuar të raundit të parë.