Dënohet Për Aksidentin Pas 12 Vjetësh (TV)

Nuhi Krasniqi të hënën para trupit gjykues të Gjykatës Themelore të Prizrenit-dega në Suharekë, pranoi fajësinë për aksidentin e komunikacionit që shkaktoi para dymbëdhjetë vjetësh.

Ai i penduar tha se i kujtohet si të kishte ndodhur sot, aksidenti  që i shkaktoi vdekjen Reshat Vranovcit në Suharekë.

Pranimin  e fajësisë nuk e kundërshtoi as avokatja e tij Nadire Hoxha, ndërsa prokurori vlerësoi pendesën e shkaktarit të aksidentit.

Krasniqi pastaj nga trupi gjykues u shpall fajtor për aksidentin duke u dënuar me dhjetë muaj burg.

Krasniqi, banor i Prishtinës akuzohej nga prokuroria në Prizren se më 12 shkurt 2002 rreth orës 12 e 15 minuta, në afërsi të stacionit të autobusëve në Suharekë, duke mos iu përmbajtur dispozitave në rrugë, rrezikoi komunikacionin rrugor.

Aktakuza më tutje shpjegonte se Krasniqi ka vënë në rrezik jetën, trupin e njerëzve dhe pasurinë në përmasa të mëdha.

“Duke drejtuar me pakujdesi automjetin e markës “IVECO”, para se të arrijë në vendin kritik, për shkak të gjendjes jo të rregullt teknike të automjetit, i dështon sistemi i frenimit, me ç’rast i bllokohet timoni”, përshkruhej dita e aksidentit në aktakuzë.

Më tutje jepeshin edhe dëmet e një serie të ndeshjeve që Krasniqi bëri para dymbëdhjetë vjetësh.

“Me pjesën e përparme e godet autobusin e udhëtarëve, me çka dëmtohet shoferi i autobusit, pas goditjes devijon dhe kalon në anën e majtë të rrugës ku e godet shtyllën elektrike  dhe prapë kthehet në të djathtë  duke marrë drejtimin e stacioneve të autobusëve, ku godet kioskën e këtij stacioni”, shpjegonte aktakuza.
 
Nga kjo goditje kishte vdekur në vend punëtori i kioskës Reshat Vranovci, ndërsa ishin lënduar edhe 12 persona tjerë.