Kroacia: Nuk Kishim Politika Kriminale Ndaj Serbëve

Ekipi ligjor i Kroacisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të martën bëri përmbledhjen e argumenteve të veta duke kundërshtuar pretendimet e padisë nga Beogradi se serbët që jetuan në rajonin e Krajinës në Kroaci kanë qenë të sulmuar dhe të diskriminuar gjatë operacionit Stuhia në vitin 1995 kur edhe u dëbuan.

“Në parashtresat e veta me shkrim, [Serbia] gjithmonë rastin e vet e bazon në atë që serbët e Kraijnës janë granatuar me qëllim që të detyrohen të dëbohen… dhe për ta kjo ishte shtylla e teorisë së dëbimit’’ tha Keir Starmer, anëtar i ekipit të Kroacisë.

Por Starmer tha se ishin pikërisht vendimet për krime lufte në Tribunalin Ndërkombëtar në Ish-Jugosllavi që kanë dëshmuar se kjo nuk qëndron fare.

Ai gjithashtu deklaroi se Serbia ka gabuar që ka cituar si dëshmi qëllimin gjenocidal nga një transkript i takimit të liderëve politikë e ushtarakë të Kroacisë në ishujt Brione në korrik 1995 ku u hartua plani për operacionin Stuhia.

“As trasnkripti i Brioneve dhe as ngjarjet që pasuan atë nuk vërtetojnë qëllimin gjenocidal”, tha Starmer.

Që nga fillimi i këtij muaji Kroacia dhe Serbia po paraqesin paditë dhe kundërpaditë e tyre për gjenocid kundër njëra-tjetrës në gjykatën që mbështetet nga Kombet e Bashkuara në Hagë.

Zagrebi akuzon Beogradin se ishte munduar të okupojë një të tretën e territoreve të Kroacisë gjatë luftës së viteve të nëntëdhjeta dhe të largojë të gjithë kroatët nga aty.

Serbia në reagimin e saj akuzon Kroacinë për gjenocid gjatë operacionit Stuhia, kur forcat e Zagrebit rimorën territoret që mbaheshin nën kontrollin serb.

Shefja e ekipit të Kroacisë, Vesna Crnic-Grotiq, i tha gjykatës të martën se shumë njerëz në Serbi mohojnë të ketë pasur krime gjatë luftës, madje ata besojnë që “Masakra e Srebrenicës ishte një mit” apo që “Vukovari, qyteti i shkatërruar i Kroacisë ishte çliruar nga forcat serbe”.

“[Serbia] ka bërë një listë të personave të pagjetur në territorin e Kroacisë me 1,747 persona që llogariten si të pagjetur. Vallë, a është e nevojshme që të shpiken lista të tilla sa herë që ka nevojë që numri i viktimave serbe të rritet?”, tha Crnic-Grotiq.

“Numri i përgjithshëm aktual i personave të pagjetur deri më 31 dhjetor të vitit të kaluar është 1,663. Kjo përfshinë të gjithë ata që janë raportuar si të pagjetur në territorin e Kroacisë nga viti 1991 deri 1995,duke përfshirë këtu kroatët, serbët dhe pjesëtarët e përkatësive të tjera etnike,” tha ajo.

“Kroacia nuk ka pasur politika kriminale ndaj serbëve asnjëherë gjatë luftës … dhe kjo është vërtetuar edhe nga Tribunali i Hagës”, shtoi Crnic-Grotiq.

Ajo gjithashtu tha se operacioni Stuhia kishte objektiva legjitime ushtarake.

“Operacioni Stuhia ishte operacion për të ndërprerë fushatën kriminale të Republika Srpska Krajina-s (që nuk njihej në Kroaci).. . Ai mundësoi nënshkrimin e Marrëveshjes së Dejtonit që shënoi përfundimin e luftës në rajon”, tha Crnic Grotiq.

Si Zagrebi ashtu edhe Beogradi kanë shprehur besimin se do t’i fitojnë rastet, por disa ekspertë kanë sugjeruar se asnjëra palë nuk do të mundet ta dëshmojnë gjenocidin. Këta ekspertë kanë shprehur shqetësime se procedura gjyqësore do t’i ftohë raportet mes dy fqinjëve.

Që nga themelimi i saj pas Luftës së Dytë Botërore, Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë e ka njohur vetëm një rast të gjenocidit – atë të Masakrës së Srebrenicës në Bosnjë në vitin 1995.