Rexhepi: Analizë Për Vrasjet në Pejë (TV)

Dhjetë vrasje kanë ndodhur në Kosovë gjatë periudhës janar-prill 2014, mes tyre edhe dy në Pejë, më 21 mars.

Këto zhvillime ishin arsyet që shtynë anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së që javën e kaluar të ftojnë për raportim ministrin  e Brendshëm Bajram Rexhepin dhe drejtorin  e përgjithshëm të Policisë Shpend Maxhunin.

Të dy zyrtarët e lartë politikë dhe organizativë të forcave të rendit raportuan të martën pra komisionit.

“Falë punës së mirë të hetuesve dhe njësive relevante të Policisë së Kosovës, 70 për qind e vrasjeve të këtij viti janë zbardhur”, tha kreu i Policisë Maxhuni.

Por ai e pranoi se vrasjet e Valdet Kelmendit dhe Fazli Bajraktarit para dhjetë ditësh ende nuk janë ndriçuar. Po ashtu edhe për një vrasje tjetër të 2014-ës nuk dihen kryesit.

“Të gjitha këto raste kanë qenë mjaft komplekse, pra edhe rasti i fundit është mjaft kompleks, por Policia e Kosovës në bashkëpunim shumë të ngushtë me prokurorin e Prokurorisë Speciale është duke punuar intensivisht për ndriçimin dhe arrestimin e kryesve potencialë të kësaj vrasje”, shtoi Maxhuni.

Për vrasjet e shumta që po ndodhin në Pejë foli edhe ministri Rexhepi.

“Janë çështje të analizave të thella arsyet përse [Peja] që prej kohës së pasluftës prej një qyteti që ka qenë i njohur për shkencë, tregti e shumë gjëra,  është regjion ku ndodhin më së shumti vrasje”, tha Rexhepi.

Anton Çuni, anëtar i Komisionit nga LDK-ja pyeti Shpend Maxhunin se pse disa zyrtarë policorë, sipas tij të afërt me krimin, janë akredituar nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë.

Maxhuni nuk iu përgjigj kësaj pyetje për shkak të ndjeshmërisë së informatave të tilla për sigurinë, por u tregua i gatshëm që për çështje që lidhen me policinë dhe AKI-në ta mbajë një takim të mbyllur me anëtarët e Komisionit.

Maxhuni kërkoi që për secilin pjesëtar të policisë të flitet me fakte.

Fatmir Xhelili kërkoi të dijë nga Bajram Rexhepi nëse Policia e Kosovës ka forcë për të goditur krimin e organizuar.

“Policia e ka këtë forcë dhe ka mjete në dispozicion. Ajo ka arrestuar disa herë persona që kanë menduar se janë mbi ligjin dhe ata persona tani gjenden në burg”, u përgjigj Rexhepi.

Kryetari i Komisionit Ahmet Isufi kërkoi nga ministri Rexhepi dhe drejtori Maxhuni që të parandalojnë vrasjet pasi që ato janë shqetësim për qytetarët dhe komisionin.