Shtyhet Seanca për Mungesë Kuorumi

Edhe pse Kuvendi i Kosovës do të duhej të shqyrtonte dhe ta miratonte në lexim të parë Projektligjin  e shumëpritur për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, kjo nuk u bë e mundur pasi që në seancë nuk ishin të pranishëm pjesa dërrmuese e deputetëve të pozitës.

Kryesuesi i Kuvendit Xhavit Haliti, tha se për shkak të mungesës së kuorumit, seanca shtyhet  për një ditë tjetër. Ai shtoi se i mbetet Kryesisë së Kuvendit për të vendosur se në cilën ditë do të ketë seancë për t’i vazhduar pikat e mbetura.

Pas përfundimit të seancës deputetët e partive opozitare në një deklaratë për media, thanë se përgjegjëse për shtyrjen e seancës, është pozita.

“Prej partive në pushtet ishin diku nja 6 deputetë dhe nuk pat kuorum për të vazhduar seancën”, tha Ardian Gjini i AAK-së.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri tha se është joserioze mënyra se si është ndërprerë  seanca, pasi që sipas tij nuk iu dha mundësia shefave të grupeve parlamentare për t’u deklaruar lidhur me shtyrjen e seancës.

“Projektligji për zgjedhjet  ka mund të fillojë të shqyrtohet dhe ka mund të vazhdohet pastaj pjesa e votimit më vonë”, shtoi Beqiri.

Edhe Visar Ymeri i Vetëvendosjes në një konferencë për media pas shtyrjes së seancës, tha se ka pasur një lloj sabotazhi të seancës së sotme, sepse ka munguar një numër i madh i deputetëve të koalicionit qeverisës.

 Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili monitoron në vazhdimësi punën e Kuvendit të Kosovës, tha se aspekti procedural se si u mbyll seanca ishte forma më e keqe.

“Nuk ka temë më të rëndësishme sot sesa ligji për zgjedhjet. Kjo shpërfaqi papërgjegjësinë  totale të klasës politike, sidomos shumicës parlamentare për t’i adresuar dhe për t’u dhënë zgjidhje problemeve”, shtoi Selmanaj.

Nga ana tjetër, shefi i grupit parlamentar të PDK-së Adem Grabovci mungesën e deputetëve të pozitës e arsyetoi me shkuarjen e tyre në përvjetorin e Masakrës së Izbicës.

“Në fillim të seancës kërkova që të shtyhet seanca për në orën 14:00, për shkak të Masakrës së Izbicës , unë nuk kam të drejtë morale për t’i kërkuar asnjë deputeti ose ndonjë qytetari që të mos shkojë në përvjetorin e Izbicës”, shtoi Grabovci.