Gjykata Evropiane Refuzon Rastin e Veteranëve Serbë

Gjykata e Strasburgut ka deklaruar në vendimin e saj të së martës, se 30 veteranët, të gjithë rezervistë të Armatës Jugosllave gjatë intervenimit të NATO-së në Serbi, duhet të shterin mjetet ligjore vendore për kompensimin e beneficioneve të papaguara, përpara se të iniciojnë këto raste në Evropë.

“Në rastin e aplikantëve, Dhoma e Lartë ka konstatuar që edhe pse ata u janë adresuar gjykatave civile, këtë nuk e kanë bërë në mënyrë të duhur,” tha gjykata.

Rezervistët thonë se shteti nuk ua ka paguar beneficionet ditore gjatë kohës kur kanë shërbyer në Armatën Jugosllave në periudhën mes marsit dhe qershorit 1999, gjatë konfliktit në Kosovë.

Në vitin 2008, pas organizimit të protestave nga ana e veteranëve, Qeveria e Serbisë ka pranuar pagesën e këtyre beneficioneve për disa prej tyre, veçanërisht për ata që jetojnë në shtatë komuna të cilat konsiderohen të jenë “të pazhvilluara”.

Kjo ka bërë që të tjerët të cilët nuk janë paguar të ankohen për diskriminim dhe që ankesat e tyre t’ia drejtojnë gjykatës.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka vendosur se nuk ka “arsyetim objektiv” që këta aplikantë të trajtohen ndryshe vetëm në bazë të vendbanimeve prej nga vijnë, prandaj ka urdhëruar Beogradin që të paguajë rreth dy miliardë dinarë (17 milionë euro) veteranëve për kompensim.

Gjykata ka vendosur që këto beneficione nuk kanë qenë sociale dhe reagimi i qeverisë së Serbisë për krejt situatën është arbitrar, sepse rezervistët nga shtatë komunat e “pazhvilluara” edhe ashtu nuk janë obliguar të dëshmojnë se janë të varfër.

Qeveria e Beogradit është ankuar kundër këtij vendimi vitin e kaluar dhe të martën Gjykata në Strasburg ka mbështetur ankesën duke thënë se veteranët duhet që rastin e tyre ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë së pari.

“Dhoma e Lartë … ka mbështetur kundërshtimin e parë të Qeverisë së Serbisë lidhur me dështimin e aplikantëve që të shterin të gjitha mjetet juridike vendore dhe ka thënë se nuk mund të shqyrtojë meritat e ankesës së aplikantëve”, shtoi gjykata.

Ekzistojnë rreth 5,500 aplikacione të ngjashme nga ana e veteranëve të Serbisë që janë në procedurë në gjykatën e Strazburgut.

Numri i saktë i veteranëve në Serbi nuk është i njohur. Ministria e Drejtësisë thotë se janë rreth 500,000 persona të klasifikuar si veteranë, por grupet e veteranëve në përgjithësi tejkalojnë numrin 700,000.

Ky shkrim është botuar së pari në Balkan Transitional Justice