Vazhdim Paraburgimi për Shkaktarin e Aksidentit të Trafikut (TV)

Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë kundër Besim Kadriut më 24 janar 2014, për shkak se i pandehuri shkaktoi aksident trafiku me fatalitet.

Sipas Prokurorisë, Kadriu më 29 dhjetor 2013 rreth orës 16:30 në rrugën magjistrale Prishtinë – Pejë, saktësisht në udhëkryqin e Komoranit duke mos ia përshtatur shpejtësinë rrugës dhe kushteve atmosferike kishte rrezikuar jetën e njerëzve duke e goditur udhëtarin-tash të ndjerin Besart Mustafa.

Mustafa vdiq pas trajtimit mjekësor në QKUK në Prishtinë në orën 18:30 të së njëjtës ditë.

Gjatë seancës, dy mbrojtësit e të pandehurit Hana Canaj dhe Emrush Kastrati njoftuan se kanë parashtruar kërkesë në prokurori që të arrijnë marrëveshjen për pranimin e fajësisë, por sipas tyre kjo kërkesë ende nuk është proceduar.

Avokatja Canaj kërkoi që klientit të saj t’i ndërpritet edhe paraburgimi. Besim Kadriu ndodhet në paraburgim që nga dita e aksidentit më 29 dhjetor të vitit të kaluar.

“Kërkoj nga Gjykata që të pandehurit t’i ndërpritet paraburgimi, pasi që kanë pushuar kushtet që të mbahet ende në paraburgim. Për shkak të dyshimit se i njëjti mund ta lë shtetin, si dëshmi dorëzojnë pasaportën e të pandehurit”, tha Canaj në gjykatë.

Lirimin e mundshëm nga paraburgimi e kundërshtoi prokurori Shkëlzen Ibrahimi.

“Prokurori i shtetit e sheh këtë kërkesë si të pabazuar dhe kërkon që i pandehuri Besim Kadriu të mbetet në paraburgim deri në shqyrtim kryesor”, tha Ibrahimi.

Gjyqtari Daut Behrami vendosi me aktvendim që i pandehuri të mbetet në paraburgim deri në shqyrtimin kryesor, pasi sipas tij nuk kanë pushuar kushtet ligjore që shkaktuan përcaktimin e kësaj mase.

“Refuzohet propozimi i mbrojtësit të të pandehurit për zëvendësimin e masës së paraburgimit… me masat tjera”, tha Behrami. 

Shqyrtimi kryesor u caktua për datën 16 prill 2014.