Kosova Nuk Është Si Krimeja

Në analizën e publikuar në International Business Times, thuhet se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk mund të krahasohet me aneksimin e Krimesë nga ana e Federatës Ruse, për tri arsye.

Arsye e parë është se në Kosovë ka pasur shkelje masive të të drejtave të njeriut nga ana e autoriteteve serbe. Kurse në Krime nuk ka pasur diskriminim dhe shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e autoriteteve të Ukrainës.

Arsye e dytë është se pas ndërhyrjes së UNMIK-ut dhe NATO-s në Kosovë,  Kosova disa vjet me radhë ka realizuar një mori negociatash me palën serbe. Pas këtyre negociatave të pafrytshme Kosova ka shpallur pavarësinë në mënyre unilaterale.

 Kurse në Krime ka ndodhur e kundërta.

Me largimin e presidentit pro-rus të Ukrainës Viktor Yanukovych me 22 shkurt, pas protestave nga ana e ukrainasve të cilët reaguan kundër refuzimit të nënshkrimit të marrëveshjes nga ana e Yanukovych-it me Bashkimin Evropian, presidenti rus Putin dërgoi mercenarë dhe ushtarë pa shenja ruse për të okupuar territorin e Krimesë.

Ne analizë thuhet se kjo është bërë me dinakëri nga ana e Putinit, që në opinionin ndërkombëtar të mos duket se është një agresion nga ana e Federatës Ruse.

Arsye e tretë është se në Kosovë ka pasur shkëputje, kurse në Krime aneksim.

Me 11 mars autoritet pro-ruse në Krime kanë paralajmëruar shkëputjen nga Ukraina, ndërsa me 16 mars, është  mbajtur një referendum nën tytat e armëve ruse ku sipas të dhënave 97 për qind e rusëve në Krime kanë votuar për t’u ndarë nga Ukraina dhe për t’iu bashkuar Federatës Ruse.

Me 17 mars, në bazë të rezultateve, autoritetet e Krimesë kanë shpallur pavarësinë dhe në ditën tjetër i kanë bërë kërkesë Federatës Ruse, për t’u bërë pjesë e saj.

Presidenti Putin ka pranuar kërkesën e autoriteteve të Krimesë. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe parlamenti i Rusisë.

Shpallja e pavarësisë së Krimesë është arsyetuar edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën në vitin 2010.

Shkrimi është bazuar në analizën e IBTimes.