29 Vjet Burg për Besarta Kastratin

Trupi gjykues i Gjykatës Themelore të Pejës, i udhëhequr nga Sylë Lokaj kryetar dhe Nushe Kukaj e Violeta Rugova anëtare dënoi të mërkurën Besarta Kastrati-Harxhin me 29 vjet burg.

Kastrati-Harxhi akuzohej për vrasje të rëndë të Fidan Shabit në Pejë, më 2 maj 2012.

Sipas aktakuzës Kastrati – Harxhi, natën kritike e ka thirrur viktimën Fidan Shabin në telefon, duke u takuar me të te banesa e saj. Ajo e ka joshur Shabin, duke e ftuar për të kryer marrëdhënie seksuale, për ta qëlluar brenda banesës disa herë me revole.

 A. Ll., që ngarkohej për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje është dënuar me tetë vjet burg. A. Ll., përfitoi nga Ligji i Amnistisë, duke mos u dënuar për veprën e dytë.

Kjo vepër penale amnistohet me ligjin e miratuar në Kuvend në korrikun e vitit të kaluar.

Aktakuza e ish-Prokurorisë së Qarkut në Pejë shpjegon se A. Ll., i ftuar nga Besarta Kastrati,  i ndihmoi asaj për ta fshehur kufomën e Shabit në tavanin e banesës ku ndodhi vrasja, duke shkatërruar edhe revolen me të cilën u qëllua viktima.

Në seancën e së mërkurës gjykata edhe një herë ne pika te shkurtra e përshkroi akuzën e ngritur dhe te përfaqësuar nga prokurorja për Krime te Rënda në Pejë Valbona Disha- Haxhosaj.

Më pas u lexua aktgjykimi dënues.

Në fund të janarit kur paraqiti mbrojtjen e saj, Besarta Kastrati-Harxhi, fajin për vrasjen e hodhi te bashkëpunëtori i saj A. Ll.

A.Ll. ishte i mitur kur ndodhi ngjarja e rëndë. Të dënuarve do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Haxhi Çeku avokati i të miturit A. Ll., i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë paralajmëroi ankesë, duke e arsyetuar një gjë të tillë me faktin se klienti i tij mori dënim kapital.

Mbrojtësi i Besarta Kastrati-Harxhit Nuhi Paçarizi nuk u deklarua në seancë lidhur me ankesën.