Ramadan Muja Pezullon Aktivitetin Si Kryetar i Komunës (TV)

“Duke respektuar vendimet institucionale, integritetin dhe dinjitetin tim si Kryetar i zgjedhur i Komunës dhe si qytetar i përgjegjshëm, i bindur në pafajësinë time, kam vendosur që derisa Gjykata e Apelit të marrë vendimin për ankesën time, ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të pezulloj aktivitetin tim në cilësinë e Kryetarit të Komunës”, shkruan Muja në një njoftim dërguar mediave.  

Ramadan Muja është dënuar më 13 mars nga Gjykata Themelore e Prizrenit me dy vjet me kusht dhe 30 muaj ndalesë ushtrimi të funksioneve publike. Bashkë me të janë dënuar edhe 5 zyrtarë tjerë komunalë.

Menjëherë pas këtij dënimi shoqëria civile dhe opozita kanë filluar kërkesat për dorëheqjen e Mujës.

Ndërsa ai e kishte kundërshtuar këtë duke thënë se do ta dërgojë rastin e tij nëpër të gjitha instancat gjyqësore të Kosovës.

Kastriot Jahaj, përfaqësues i Grupit të Qytetarëve Aktivë të Prizrenit, i cili është arrestuar dhe liruar të martën nga Policia e Kosovës, tha se vendimi për pezullim të aktiviteteve të kryetarit është i kundërligjshëm dhe se Grupi i Qytetarëve Aktivë kërkon vetëm dorëheqjen e tij.

Jahaj the se të mërkurën do të vazhdojnë me marshin protestues të paralajmëruar më herët në kërkesë të dorëheqjes së Mujës. 

Përpara njoftimit të kryetarit të Prizrenit për pezullim aktivitetesh, Grupi i Qytetarëve Aktivë për Prizrenin, ka mbajtur edhe të martën një protestë përpara dyerve të Shtëpisë së Bardhë në Prizren duke kërkuar dorëheqjen e kryetarit Ramadan Muja.

Protestuesit, u paralajmëruan nga policia që të lirojnë dyert e Shtëpisë së Bardhë.

Pasi protestuesit, nuk iu bindën urdhrave të policisë, pesë nga ta u arrestuan, me ç’rast edhe u ndërpre protesta para Kuvendit Komunal.