Gjykata Ia Bllokon Llogarinë Për 12 Euro e Gjysmë Borxh (TV)

Nga taksat e mbetura borxh në gjykatë, Rasim Sopajt i është bllokuar llogaria po nga gjykata.

Kjo e fundit përmes një shkrese ka kërkuar ekzekutimin e borxhit për taksën gjyqësore në vlerën prej 12 euro e 50 centësh.

Rasim Sopaj, punëtor i PTK-së, para disa vjetësh kishte bërë padi në Gjykatën Komunale në Suharekë, për ndarje të pasurisë me vëllanë e tij.

Sopaj në vitin 2001 kishte paguar ekspertë të Gjeodezisë dhe Kadastrës për të dalë në terren në lidhje me kontestin pronësor me të vëllanë, por këta ekspertë sipas tij nuk  e kishin kryer punën e tyre. Për këtë ai kishte paditur  Gjeodezinë dhe Kadastrin.

Rasim Sopaj i tha Gazetës Jeta në Kosovë, se nuk e ka borxhin për të cilin i është bllokuar llogaria, ndërsa bllokada e vendosur ka bërë që Sopaj të mos mund ta tërheqë rrogën e tij.

“Me erdh prej Gjykatës Themelore në Prizren me pagu 12 apo 13 euro nuk më kujtohet saktë gjoja se kam bë ankesë në shkallën e dytë të Gjykatës Themelore në Prizren, e unë s’kam ba ankesë, sepse nuk kam marrë pjesë në gjykim, e kinse atë ankesë e kam bë për shkallën e dytë mu vërtetu, unë nuk e kum ba dhe u thashë edhe referentave se nuk kam ba ankesë si të paguaj, kjo është skandaloze, s’mund të paguaj për një send që nuk e kam ba dhe ata me atë mllef ma bllokojnë xhirollogarinë edhe që 12 ditë nuk po mundem ta marr rrogën ”

Në Gjykatën Themelore në Suharekë, thonë, se propozimi është bërë nga gjykata për ekzekutimin e taksave gjyqësore, pasi i njëjti nuk i ka paguar ato me kohë.

Gjykata thotë se taksa gjyqësore prej 12.5 eurosh, është për plotfuqishmërinë e aktgjykimit civil, e jo për ankesë, pasi Rasim Sopaj i ka pasur dy lëndë në këtë gjykatë.

Ndërsa në këtë rast sipas gjykatës kemi të bëjmë me lëndën për kthimin e mjeteve, ku Rasim Sopaj e ka paditur Komunën e Suharekës që t’i kthehen mjetet që i ka paguar Drejtorisë së Gjeodesizë, për dalje ne teren, për matjen e tokës.

Përfundimisht, derisa Sopaj të paguaj 12 euro e gjysmë , në xhirollogarinë e Gjykatës, xhirollogaria e tij do të mbetet e bllokuar.