Gjeodeti nga Gjakova Dënohet Për Marrje të Ryshfetit (TV)

Sina akuzohet se në vitin 2004 si zyrtar i NSh “Gjeodezia”, i ka marrë 20 mijë euro mitë nga i dëmtuari në këtë rast Hasan Berisha, për përkthimin e disa pronave të blera më herët nga i dëmtuari.

Lidhur me ketë akuzë ishte dënuar me një vit burg nga ish-Gjykata Komunale ne Deçan në vitin 2005, por pas ankesës dënimi ishte pezulluar.

Gjykata e Qarkut në Pejë si shkallë e dytë, pas dy vjetësh mori vendim që lënda të kthehet në rigjykim, me arsyetimin se incizimet e paraqitura nga i dëmtuari duhet të dërgohen për analizë në një laborator të forenzikës.

Kjo lëndë rrezikonte të vjetërsohej e të përshkruhej dhe në këtë mënyrë edhe të mbyllej si rast.

Mirëpo ajo është marrë parasysh, pasi që emisioni Drejtësia në Kosovë u mor me shkeljen ligjore të Skender Sinës, në fillim të shkurtit.

 Menjëherë pas interesimit të Drejtësisë në Kosovë, Gjykata Themelore në Pejë, ka caktuar seancë gjyqësore më 5 shkurt 2014.

Mirëpo kjo seancë gjyqësore dështoi për t’u mbajtur, ngase i akuzuari u paraqit në gjyq pa avokat mbrojtës duke kërkuar shtyrjen e seancës, pasi i mungonte avokati.

Trupi gjykues e kishte aprovuar kërkesën e tij, duke shtyrë për 3 mars vazhdimin e gjykimit. Edhe në seancën e 3 marsit, Sina përsërit të njëjtin veprim-ardhjen pa avokat, ndërsa gjykata e shtyu shqyrtimin e lëndës kundër tij për 14 mars.

Më 14 mars, Sina u paraqit bashkë me avokatin e tij Prenk Pepaj. Në këtë seancë atij iu lexua aktakuza, ndërsa i pandehuri nuk pranoi fajësinë.

Gjykata shfaqi dëshmitë e marrjes së ryshfetit nga Sina, duke u bazuar në dy kaseta të incizuara prej të dëmtuarit Hasan Berisha.

I akuzuari kasetat e incizuara në datat 25 tetor 2004 dhe 5 shkurt të të njëjtit vit, i konsideroi montime dhe shantazhe nga i dëmtuari në këtë proces.

Prokurori Agron Matjani në fjalën e tij përfundimtare kërkoi nga gjykata që ta dënojë të akuzuarin, pasi sipas tij është vërtetuar fajësia e Sinës.

Mbrojtësi i Sinës Prenk Pepaj kërkoi pafajësinë e klientit të tij, duke thënë se fajësia bazohet vetëm në një provë, ndërsa dëshmia e të dëmtuarit është e pabazuar. I akuzuari, kur foli, mbështeti avokatin e tij.

Trupi gjykues i përberë nga Sylë Lokaj kryetar, Sejdi Blakaj dhe Sali Berisha anëtarë, pas konsultimit lidhur me këtë rast morën dhe shpallen vendimin, duke dënuar Sinën me  1 vit burg.

Skender Sina, përveç dënimit, obligohet t’ia kthejë të dëmtuarit 20 mijë eurot e marra dhe nuk do të mundet ta ushtrojë për tre vjet profesionin e gjeodetit.