Eurodeputetja Kërkon Uljen e Numrit të Azilkërkuesve

“Sot, kemi nevojë si kurrë më parë për argumente të mira që flasin për përmbushjen e kritereve e [që dëshmojnë] se është bërë gjithçka e mundshme për të siguruar se njerëzit nuk i keqpërdorin vizat dhe se nuk ikin nga vendi për të kërkuar azil”, tha ajo.

“Është e nevojshme që të luftohet kundër kësaj”, shtoi Fajon.

Edhe pse Kosova përgjatë viteve të fundit ka nënshkruar marrëveshje për riatdhesim me një varg shtetesh evropiane, kosovarët vazhdojnë të kërkojnë azil në BE.

Sipas një raporti të Eurostat-it, të publikuar në vjeshtën e vitit të fundit, më shumë se 17 mijë qytetarë nga Kosova kanë kërkuar azil në BE vetëm në vitin 2013.

Komisioni Evropian nisi dialogun për lehtësimin e regjimit të vizave me Kosovën më 19 janar të vitit 2012, ndërsa ia dorëzoi vendit udhërrëfyesin zyrtar me mbi 90 kritere, më 14 qershor të po atij viti.

Një delegacion vlerësues i BE-së pritet të qëndrojë në Kosovë në muajin e ardhshëm, për të parë nga afër se sa është bërë në përmbushjen e kritereve të vëna.

Fajon tha se “nuk u takon vetëm institucioneve të BE-së, por u takon kryesisht autoriteteve në Kosovë të punojnë në drejtim të liberalizimit të vizave”.

“Këtu ka ende shumë punë për të bërë”, u shpreh ajo.

Për dallim nga kolegia e saj Ulrike Lunaçek, e cila së fundi uli shpresat e kosovarëve për liberalizim vizash, duke thënë se procesi mund të zgjasë ndoshta edhe tre vjet, Fajon nuk deshi të përcaktojë ndonjë kornizë kohore për këtë çështje.

“Të flasësh për këtë çështje thjesht nuk është produktive”, tha ajo.

Deri më tani, BE-ja ka arritur marrëveshje për liberalizmin e vizave me njëmbëdhjetë shtete që s’janë anëtare të bllokut.

Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës janë përjashtuar nga udhëtimet pa viza brenda zonës Schengen të BE-së.

BE-ja hoqi vizat për Shqipërinë e Bosnjën në vitin 2010, ndërsa për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë regjimi i vizave ishte hequr më 2009.