Vazhdon Kërkesa për Dorëheqjen e Rektorit (TV)

Në kohën kur Policia e Kosovës ka tentuar që t’i shoqërojë në polici, pas kërkesës së refuzuar për të liruar oborrin e rektoratit, studentët kanë rezistuar dhe në këtë rast ka pasur edhe studentë me lëndime të lehta, të cilëve është dhënë ndihma e parë në vendin e ngjarjes.

Florie Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës, ka konfirmuar për Gazetën Jeta ne Kosovë se deri më tani në polici të shoqëruar janë 27 persona, të cilët ende po merren në pyetje, por që ndaj tyre nuk është ngritur ndonjë urdhër arresti.

Anëtarët e organizatave që kanë iniciuar protestën, janë shprehur se policia e Kosovës ka qenë e dhunshme ndaj tyre. 

Fitim Salihu nga organizata studentore Klubi Politik i Studentëve, organizatë kjo që së bashku me Lëvizja Studentore për Barazi – Studim, Kritikë, Veprim kanë organizuar protestën, tha se policia nuk është dashur që të futet në oborrin e rektoratit dhe se policia ka përdorur forcën në mënyre brutale.

“Sipas Ligjit për Arsimin e Lartë, forcave të rendit u ndalohet hyrja në ambientet e universitetit, por policia ka intervenuar sot në mënyrë shumë brutale. Ka disa të lënduar dhe mbi 20 të arrestuar nga protestuesit, të cilët janë hedhur në mënyrë të dhunshme jashtë ambienteve të rektoratit”, tha Salihu.

Megjithatë, i pyetur nëse kanë marrë leje për të qëndruar në oborrin e rektoratit, Salihu tha se nuk e kanë parë të arsyeshme të marrin leje, sepse siç tha ai është e drejtë e studentëve të kërkojnë të drejtat e tyre dhe se lejen është dashur ta kërkojë policia.

Zëdhënësja e policisë nuk ka dashur të flasë nëse policia është e lejuar brenda ambienteve të universitetit dhe nëse ndërhyrja ka qenë brutale.

Florie Ahmeti tha se pas komunikatës së policisë nuk mund të thotë asgjë tjetër.

Sipas kësaj komunikate, policia ka marrë kërkesë nga ana e Rektoratit të UP-së për t’u mundësuar hyrjen në ndërtesë si dhe për t’u krijuar rrethana optimale për punë.

“Përkundër thirrjeve dhe paralajmërimit policor, protestuesit nuk kanë përfillur zyrtarët policorë dhe njëkohësisht kanë shfaqur shenja të agresivitetit si dhe kanë ndërmarrë veprime me të cilat kanë penguar zyrtarët policorë që të ushtrojnë autorizimin dhe kompetencën e tyre”, thuhet në komunikatën e policisë.

Sipas kësaj komunikate, policia me qëllim të neutralizimit të një situatë të tillë, ka bërë një reagim duarthatë, edhe pse rezistenca e protestuesve ka qenë shumë e shprehur.

Në anën tjetër, Alisa Hasani nga Lëvizja Studentore për Barazi – Studim, Kritikë, Veprim, e cila gjatë tërheqjes nga policia ka lënduar krahun, ka treguar tri kërkesat e studentëve protestues.

“Rektori të japë dorëheqje menjëherë, sepse tashmë skandalet janë publike, skandalet që kanë qenë sekret publik.  Kërkesa e dytë është që të bëhet një organ hetimor për të gjitha mashtrimet, manipulimet në stafin akademik të UP-së, dhe kërkesa jonë e tretë është heqja e këshillit drejtues (të UP-së), e cila është dorë e zgjatur e pushtetit në Universitetin e Prishtinës”, tha studentja Hasani.

Studentët  e mbledhur para rektoratit, kanë mbajtur pankarta të ndryshme në duar si dhe kanë brohoritur duke kërkuar largimin e rektorit Gashi nga posti i tij.

Një ndër pankartat e shpeshta kanë qenë “UPrish”, “Ibrahim Hup” e të tjera.

Kjo është protesta e dytë pas asaj të mbajtur javën e kaluar, përmes të cilave studentët po kërkojnë shkarkimin e Ibrahim Gashit, pasi që ky i fundit është përfolur në media se ka bërë publikime shkencore në revista të botojnë tekste kundrejt një pagese.
 
Sipas raporteve rektori me anë të këtyre publikimeve ka avancuar në postin e profesorit.

Anëtarët e këtyre organizatave kanë thënë se protesta nuk do të ndalet deri sa të plotësohen kërkesat e tyre. 

Përveç këtij organizimi,  në rrjetin social Facebook është paralajmëruar edhe një protestë tjetër nga studentët e Prishtinës, e cila pritet të mbahet të mërkurën.

Edhe pas largimit të protestuesve nga oborri i rektoratit, forca policore kanë vazhduar që të ruajnë ndërtesën e rektoratit. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka tentuar që të kontaktojë me Rektoratin e UP-së, për të komentuar mbi ngjarjen e ditës së martë, por kjo nuk ka qenë e mundur.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi i ka thënë  RTK-së pas protestave të para, se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje.

Sipas tij kërkesa për dorëheqje  vjen nga 30 persona nga një komunitet prej rreth 60 mijë studentësh dhe si e tillë është banale.

Ai më tutje ka thënë se ka shumë shkencëtarë të mëdhenj të huaj, që kanë rënë në lajthitje nga revistat virtuale. Gashi thotë se është kontestuar revista dhe jo punimet e tij.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës pas situatës së krijuar të martën, ka mbajtur një mbledhje.

Përmes një komunikate për media, Këshilli Drejtues ka njoftuar se ka marrë disa vendime si dhe ka inkurajuar debatin për të qartësuar shqetësimet e ngritura rreth universitetit.

KD i UP-së ka marrë vendim që të krijojë një këshill i cili do të merret me shqyrtimin e revistave në të cilat ka publikuar stafi akademik i UP-së.

Po ashtu, KD-ja inkurajon secilin individ apo instancë që të adresojë pretendimet për sjellje joetike akademike në Këshillin e Etikës së Universitetit dhe inkurajon debate për të gjitha shqetësimet që janë ngritur për dhe rreth universitetit, thuhet në komunikatën e lëshuar nga ky këshill.

“Të gjitha strukturat e Universitetit, e veçmas menaxhmenti, duhet të jenë më aktivë në paraqitjen e punës, të arriturave por edhe të vështirësive me të cilat ballafaqohet universiteti”, thuhet në komunikatën për media.