Gjykohen Gjyqtarët

Në Kinemanë ABC në Prishtinë të martën ka filluar shqyrtimi gjyqësor kundër 10 të pandehurve në rastin e njohur si Uka dhe të tjetët. Gjykimin është duke e mbajtur Gjykata Themelore e Prizrenit.

Të pandehurit: Nuhi Uka, Ekrem Agushi, Ferid Bislimi, Sanije Muçolli,  Shemsije Sheholli, Rrahman Retkoceri, Tihomir Mikariq, Hasnije Balidemaj, dhe Gazmend Gashi, akuzohen se kanë keqpërdorur pronat e kombinatit bujqësor “KBI Kosova Eksport” për përfitime të paligjshme materiale.

Nuhi Uka ishte kryetar i Gjykatës Komunale të Prishtinës nga viti 2000 deri në vitin 2010, ndërsa e pandehura tjetër Olga Janiçijeviq punoi si gjyqtare civile në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë në periudhën 2003 – 2010. Në të njëjtën periudhë dhe në të njëjtën gjykatë si Janiçijeviq punuan edhe Ekrem Agushi, Tihomir Mikariq dhe Rrahman Retkoceri. Edhe Ferid Bislimi punoi si gjykatës në Gjykatën e Qarkut, por në vitet 2004-2010.

Sanije Muçolli e Shemsije Sheholli punuan si gjykatëse në Gjykatën Komunale në periudhën 2000-2010. Hasnije Balidemaj ishte zyrtare nga ndërmarrjen shoqërore “KBI” prej vitit 2000 – 2006, ndërsa Gazmend Gashi punonte si jurist në Komunën e Prishtinës, i punësuar në Drejtorinë për Financa dhe Çështje Pronësore gjatë viteve  2001- 2006, duke qenë njëherësh edhe dhëndër i Nuhi Ukës.

Të gjithë ish gjykatësit me përjashtim të ish kryetarit Nuhi Uka, po akuzohen për nxjerrjen e kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, ndërsa Hasnije Balidemaj dhe Gazmend Gashi për ndihmë në nxjerrjen e kundërligjshme të vendimeve gjyqësore.

Prokurori gjatë seancës së sotme paralajmëroi se do ta ndryshojë aktakuzën kundër Nuhi Ukës, nga ndihmë, në shtytje për nxjerrjen e vendimeve të kundërligjshme gjyqësore.

Ndryshimin e akuzës avokati Rrecaj e quajti si joprofesionale.

“Është totalisht joprofesionale që të ndryshohet [akuza] nga ndihma në shtytje”, tha Rrecaj.

Pas leximit të aktakuzës të gjithë të pandehurit u deklaruan të pafajshëm për akuzat që po ngarkoheshin.

Ata më parë ishin ngarkuar edhe me veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare ose autorizimit, por që Gjykata e Apelit i kishte hedhur poshtë dy pikat e akuzës që kishin të bënin me shpërdorimin.

Prokurori i çështjes Allen Cansrck, paraqiti me shkrim fjalën e tij hyrëse, e cila iu shpërnda palëve, ndërsa publiku mbeti pa e kuptuar se çfarë kishte thënë prokurori në fjalën e tij hyrëse.

Të gjithë të pandehurit me mbrojtësit e tyre paraqitën fjalët e tyre hyrëse, pos të pandehurit Nuhi Uka dhe mbrojtësit të tij avokatit Tahir Rrecaj, të cilët fjalën hyrëse do ta japin pasi ta dëgjojnë akuzën e re.

Gjatë seancës u mor vesh se disa nga të pandehurit tanimë po punonin si avokatë e Ferid Bislimi ishte emëruar përmbarues privat nga Ministria e Drejtësisë.

Kur të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre i dhanë fjalët hyrëse, ata prezantuan prova, dëshmitarë madje edhe u shfajësuan nga akuzat me të cilat po i ngarkon Prokuroria Speciale.

Shumë nga të pandehurit morën vërejtje nga kryetari i trupit gjykues Arcadius Sedeck se nuk po u përmbaheshin rregullave të gjykatës dhe se po flisnin në mes vete gjatë gjykimit.

E kjo seancë filloi me një vonesë prej 50 minutash pasi që policia nuk kishte mundur ta sillte Nuhi Ukën në sallën e gjykimit, edhe pse ky i fundit jeton në Prishtinë.

Kryetari Sedeck i kritikoi policët për mosveprimin dhe për vonesën në sjelljen e të pandehurit.

Seanca e radhës në këtë çështje do të vazhdojë me marrjen në pyetje të dy dëshmitarëve: Veton Hajdinit dhe Sherif Nishliut.