Dënohet Polici për 20 Euro Mitë (TV)

Departmenti për Krime të Rënda në  Gjykatën Themelore të Ferizajt, ka shpallur fajtor policin Arsim Haziri nga Shtimja për shpërdorim të pozitës zyrtare.

Ndaj të pandehurit Prokuroria kishte ngritur aktakuzë në mars të vitit 2012, me pretendimin se në shtator të vitit 2011 gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ai kishte marrë 20 euro mitë nga i dëmtuari R.A.

Sipas dëshmisë së të dëmtuarit, i pandehuri i kishte kërkuar këto para për të shkuar në Prizren.

Pas 3 seancave të mbajtura, trupi gjykues e shpalli Arsim Hazirin fajtor dhe e dënoi më dënim të kushtëzuar prej 5 muajsh burgim.

Ky dënim nuk do të ekzekutohet në rast se Haziri nuk kryen vepër tjetër brenda një viti. Po ashtu Haziri detyrohet që palës së dëmtuar në këtë rast t’ia kthejë shumën prej 20 eurosh.

Ekrem Shabani, avokat i të pandehurit paralajmërojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi.

Ai i tha Gazetës Jeta në Kosovë se Gjykata e ka shpallur fajtor klientin e tij me disa deklarata që nuk janë bindëse dhe që sipas tij nuk janë reale.

“Klienti im posedon gjendjen shumë të mirë financiare, ndërsa dëshmitari është rast. Shpresojmë se Gjykata e Apelit do ta lirojë nga kjo vepër”, tha Shabani .

Polici Arsim Haziri është i suspenduar që nga koha kur i është ngritur aktakuza në mars të vitit 2012.