Mendime të Ndryshme të Thaçit e Daçiqit Për Nobelin

Nga tetori i vitit të kaluar, kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq janë takuar më shumë se 20 herë, por kanë shfaqur mendime të kundërta rreth propozimit të tyre për çmimin Nobel të Paqes të vitit 2014.

Zëri i Amerikës raportoi më 23 dhjetor se kryeministri i Kosovës, ai i Serbisë dhe baronesha Ashton, janë emëruar të hënën si kandidatë për çmimin Nobel të Paqes për vitin 2014 nga dy kongresistë të çështjeve shqiptare dhe dy të tjerë të çështjeve serbe.

Dy kryeministrat dhe baronesha janë propozuar për këtë çmim nga Eliot Engel dhe Robert Aderholt, ligjvënës të çështjeve shqiptare në Kongres dhe nga Ted Poe dhe Emanuel Cleaver, përfaqësues të çështjeve serbe në të njëjtin institucion.

Si motiv i propozimit është marrë marrëveshja e 19 prillit për normalizim marrëdhëniesh mes Kosovës dhe Serbisë, e mbërritur me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së, Catherine Ashton.

Kryeministri Thaçi, shkroi të martën në faqen e tij të rrjetit social Facebook, se të hënën ka marrë lajmin për nominimin e tij për Nobel të Paqes nga Kongresi i ShBA-së. Ai këtë çmim, nëse e fiton, ua dedikoi qytetarëve të Kosovës.

“Sigurisht se u ndjeva i nderuar… Nobelin për Paqe më shumë se kushdo tjetër e meritoni ju qytetarë të nderuar të Kosovës”, shkroi mes tjerash Thaçi.

Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq kishte mendim krejt tjetër për Nobelin. Ai kur foli për mediat serbe, tha se mendon që kjo gjë ka pak gjasa të ndodhë.

“Deri tash liderët serbë janë nominuar vetëm për Hagë”, bëri shaka Daçiq-i, duke iu referuar numrit të serbëve të cilët përballen me gjykime për krime lufte para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ITCY, shkruan Balkan Insight të martën.

Emërimet për çmimin Nobel mund të bëhen nga çdo individ, ose organizatë, e pranueshme për komitetin Nobel, ku përfshihen edhe ligjvënësit.

Komisioni prej 5 anëtarësh që përzgjedh fituesin, emërohet nga parlamenti norvegjez. Afati i emërimit është deri në muajin shkurt dhe fituesit shpallen në tetor.

Bashkimi Evropian, si organizatë tashmë e ka fituar çmimin Nobel për Paqe, në vitin 2012, me motivin për pajtim, promovim të të drejtave të njeriut dhe ndërtim të një rajoni poaqeje e stabiliteti.

“Jam e kënaqur për lajmin se Bashkimit Evropian i është dhënë Nobeli i Paqes për 2012-ën… Në vendet e BE-së armiqtë historikë janë bërë partnerë të afërt dhe miq”, tha baronesha Ashton, në një deklaratë të lëshuar, pasi organizata që ajo përfaqëson fitoi këtë çmim në tetorin e vitit të kaluar.

Baronesha Ashton ende nuk e ka komentuar propozimin e saj dhe të dy kryeministrave për Nobelin e Paqes 2014