Azilkërkuesit Kosovarë Të Lionit Nga Kampi Në Rrugë

Policia franceze në qytetin e Lionit, të hënën duke filluar nga ora 5 e mëngjesit ka dëbuar të gjithë banorët e një kampi të ngritur nga azilkërkuesit shqiptarë para disa muajsh, afër stacionit të trenit Perge, thonë dëshmitarët dhe raportojnë mediat franceze.

Kampi ishte bërë i njohur pasi për të së pari u raportua në disa vebfaqe franceze, e pastaj edhe në televizionin Euronews, duke treguar se si në BE azilkërkuesit lejohen të flenë nëpër tenda dhe atyre nuk u gjendet strehim deri në marrjen e vendimit për azil.

“Më vjen keq ta shoh një varfëri të tillë”, i tha Euronews-it një banor i Lionit në tetor.

Zbrazja e kampit është bërë me urdhër gjykate, njofton Euronews. Kampi qe ndërtuar në verë nga vetë azilkërkuesit.

Sipas azilkërkuesit kosovar Arbër Latifi, policia ka vendosur një ultimatum për dy ditë me radhë që njerëzit të largohen nga ai vend, duke njoftuar se aksioni i largimit me forcë do të fillojë të hënën në orën 5 të mëngjesit.

“Në pesë të mëngjesit ata erdhën me njësi speciale, rrethuan vendin me shirita dhe filluan dëbimin”, thotë Arbri në një interviste telefonike.

Mirëpo, sipas tij, zyrtarët nuk kanë siguruar strehim për banorët e kampit, këtë e kanë bërë vetëm për një pjesë të banorëve, ndërsa të tjerët kanë mbetur jashtë, duke mos pasur as tenda.

“Janë mbi 200 familje gra fëmijë që kanë mbetur jashtë, tash nuk kanë as tenda. Nuk është gjetë strehim për të gjithë. Vendi është mbushur me polici dhe njerëzit nuk dinë kah t’ia mbajnë”, thotë Latifi.

“Ata kanë siguruar vendbanim për disa, por jo për të gjithë. Tash njerëzit kanë mbetur në rrugë. Disa kanë dashur që së paku të futen dhe të qëndrojnë në ndërtesën e stacionit të trenit dhe metrosë, por policë në veshje civile nuk na kanë lejuar ta bëjmë këtë”, ka shtuar ai.

Në kamp ka qenë shumë keq, por tash është edhe më keq se ka shumë familje që kanë mbetur në rrugë dhe nuk kanë strehim në asnjë vend.

“Thjesht duhet të lëvizim tërë kohën, nuk na lënë të ndalemi askund”, ka thënë ai.

Arbri paralajmëroi se të martën, të pastrehët do të shkojnë të protestojnë te qendra e refugjatëve që njihet si Forumi.