Erdogan Përshëndet “Ramazan Mujën” (TV)

Të gjitha rrugët që shpijnë për në qendër të qytetit ishin të mbyllura për vetura.

Asnjë lokal nuk punonte sipas urdhrit të inspektoratit komunal që kërkonte mbylljen prej orës 9 deri në 18.

Nëpër të gjitha rrugët që lidhen me qendrën e qytetit, policia kishte vënë rrethoja hekuri dhe kontrollonte qytetarët që shkonin në drejtim të Shatërvanit, ku ishte vendosur bina për pritjen e tre mysafirëve, që vinin nga përurimi i Terminalit të Ri të Aeroportit Adem Jashari.

Edhe Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës, kishin zënë pozicionet e tyre.

Snajperistët, ishin vendosur në pikat e larta të qytetit historik, e një ndër ta edhe në minaren e xhamisë së Sinan Pashës në afërsi të Shatërvan.

I gjithë kjo siguri është krijuar për ardhjen e kryeministrit turk Rexhep Tayip Erdogan, që vjen bashkë me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe me nikoqirin e tyre kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi.

Ndonëse takimi me qytetarët ishte caktuar që të mbahej në orën 15, këta të tre i lanë qytetarët e Prizrenit që të presin për një orë e dhjetë minuta, derisa u shfaqën së bashku në binën që ishte ndërtuar në qendrën e shatërvanit.

I njohur për mospjesëmarrje në debatet publike të fushatës parazgjedhore, të mërkurën nuk e pati problem të dalë para qytetarëve, i pari i qytetit të Prizrenit Ramadan Muja.

“Personalisht jam falënderues që jam dhe do të vazhdoj të jem përfaqësues i të gjithë qytetarëve të Prizrenit dhe do të angazhohemi fuqishëm që Prizreni të mbetet qyteti kryesor i Kosovës dhe të jetë qytet urë-lidhës në mes Kosovës, Shqipërisë dhe shtetit mik të Turqisë”, tha kryetari Muja.

Kryeministri Thaçi, në fjalimin e tij përshëndetës për kryeministrat Erdogan dhe Rama, nuk la pa e përshëndetur edhe kryetarin Muja, të cilin e quajti kryetar i tanishëm dhe i ardhshëm i qytetit të Prizrenit.

“Ju falënderoj në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës, në emër të popullit të Kosovës, ju jeni njeriu i parë që e keni njohur Republikën e Kosovës në botë”, iu drejtua homologut të tij nga Turqia, kryeministri Thaçi.

Thaçi, po ashtu përmendi edhe përurimin e aeroportit të Prishtinës.

“Sot, ne tre kryeministrat e Kosovës, Shqipërisë dhe Turqisë, kemi bërë përurimin e aeroportit të Kosovës, aeroportit më të mirë në rajon, prandaj e gëzofshi të gjithë ju në Prizren, Kosovë dhe rajon”, tha ai.

Ndërsa homologu nga Shqipëria, kryeministri Rama, përmendi vizitën e tij që kishte në Turqi dhe tregoi për një fshat që quhej Ortakëj, që në shqip tha do të thotë fshat i mesëm, ai krahasoi këtë fshat nga Turqia me Prizrenin e Kosovës dhe tha se ishin pikërisht disa qytetarë nga Prizreni që kishin jetuar në atë fshat, i cili njihej edhe për tolerancën fetare.

“Ortakëj, u quajt kështu, sepse ishte lagjja në mes, për shkak të shqiptarëve, që mbronin sulltanin Abdulhamit, i cili rrinte në Jëldëz saraj”, tha kryeministri shqiptar.

Kryeministri turk Rexhep Tayip Erdogan, falëndëroi në veçanti kryetarin Muja, të cilin e quajti ”Ramazan”.

Ai tha se personalisht Muja, e kishte ftuar për të marrë pjesë dhe për ta vizituar Prizrenin.

Kryeministri turk, e uroi homologun e tij nga Kosova, për punën e mrekullueshme që po e bën. 

Ai në prani të qytetarëve të Prizrenit, i uroi kryeministrit Thaçi edhe 70 kilometrat e autostradës që do të përfundohen në muajin e ardhshëm, si dhe terminalin e ri të aeroportit “Adem Jashari”.

“Ne përuruam sot atë objekt të madh që mban emrin e heroit të madh kombëtar të Kosovës Adem Jashari, aeroporti i ngritur ka kapacitet 5 milionë udhëtarë në vit, po ndërtohet një Kosovë e re”, tha kryeministri turk Tayip Erdogan.