Daçiqi në Kosovë për Vizitë të “Karakterit Religjioz”

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në mbledhjen e rregullt të Qeverisë së Kosovës, të premten, ka thënë se kanë pranuar kërkesë zyrtare për vizitë me karakter religjioz nga kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq.

“Më lejoni t’ju informoj se Qeveria e Republikës së Kosovës zyrtarisht ka pranuar kërkesën për një vizitë të karakterit religjioz, nga kryeministri i Serbisë, në Manastirin e Graçanicës, për ditën e nesërme. Kjo vizitë ka karakter religjioz”, ka thënë kryeministri Thaçi, sipas komunikatës për media të Qeverisë.

“Më lejoni të sqaroj të gjithë qytetarët e Kosovës, se kërkesa e kryeministrit të Serbisë paraqitet si kërkesë me karakter strikt religjioz. Prandaj, unë konsideroj se nuk ka asnjë arsye që të mos lejohet një vizitë e tillë”, ka thënë Thaçi, thuhet më tej në komunikatë.

Nga ana tjetër paralajmërimi dhe lejimi i vizitës së kryeministrit serb Iivica Daçiq, është kritikuar nga radhët e opozitës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri, duke kritikuar lejimin e vizitës së kryeministrit serb, e ka konsideruar atë të karakterit të fushatës zgjedhore.

“Gjatë negociatave, zyrtarët e Kosovës pranuan që nga fletëvotimet e zgjedhjeve të hiqet logoja shtetërore e Republikës së Kosovës; KQZ-ja me urdhrin e politikës po i kontrabandon dhjetëra-mijëra votues virtualë serbë, në ndërkohë që qindra-mijëra bashkatdhetarë shqiptarë të diasporës nuk po kanë mundësi të votojnë”, është shprehur Ymeri.

“ Kurse tash, vjen Daçiqi nëpër Kosovë për ta bërë fushatën zgjedhore të serbëve me sloganet fashiste të Milosheviqit ‘Kosova është Serbi’, e të tjera qëndrime antishqiptare”, shtoi Ymeri në seancën parlamentare të së enjtes.

Edhe deputeti Sabri Hamiti (LDK), ka adresuar kritika ndaj lejimit të zyrtarëve serbë. Ardhjen e tyre e konsideroi si ndërhyrje në procesin e zgjedhjeve lokale, në seancën e së enjtes, në të cilën munguan pozita dhe përfaqësuesit qeveritarë .

“… Udhëheqësit e një shteti të huaj nuk janë kurrë qytetarë të thjeshtë. Nëse ata pretendohen si të tillë, në këtë rast shefat e Serbisë, kurrkund nuk konsiderohen qytetarë të thjeshtë, kryetari i një vendi dhe shefi i qeverisë së një vendi që shkon në një vend tjetër, aq më tepër kur përzihet në zgjedhjet komunale të atij vendi” ka thënë Hamiti.

”…Ata kanë ardhë, përfaqësuesit e Serbisë në Kosovë, ju dini shumicën e herëve se po vijnë po bëjnë  procesione religjioze që i bjen besimtarë dhe kanë hy e kanë dalë, veç ju e dini mirë që kurrë kamën se ka qitë pa dhanë mesazhe politike të nivelit ma ekstremist të mundshëm[…]” ka thënë ai.

Kritikat ndaj lejimi të vizitës së kryeministrit serb, nga kryeministri Hashim Thaçi janë cilësuar si “objekt i fushatës elektorale” nga ana e opozitës.

Mediat serbe, kanë shkruar se qeveria e Serbisë ende nuk e ka bërë të ditur agjendën e qëndrimit të Daçiqit në Kosovë, duke iu referuar vetëm paralajmërimeve nga ana e qeverisë së Kosovës.

“Ajo që qeveria e Kosovës di për vizitën e Daçiqit, është që kryeministri i Serbisë do të vizitojë Graçanicën të shtunën. Qeveria e Serbisë ende nuk e ka bërë të ditur agjendën e qëndrimit të tij në Kosovë”, transmeton media serbe B92, të premten.