Gara për Kryetar e Tre Kryetarëve të Vushtrrisë (TV)

Debati i Vushtrrisë i Emisionit Jeta në Komunë, i zhvilluar të dielën mbrëma, ndryshe nga ai i Mitrovicës, ku pjesëmarrësit u ngjanin tifozëve, u zhvillua pa praninë e publikut, pasi zyrtarët policorë nuk respektuan obligimin kontraktues për sigurimin e sallës ku ai zhvillohej.

Zhurmën e shikuesve mitrovicas, e bënë kandidatët për kryetar të Vushtrrisë, të ndodhur në sallën e zbrazët, përballë shikuesve të RTV 21-it që i shihnin nga shtëpitë e tyre.

Garës për Vushtrrinë i kanë hyrë tre ish-kryetarë të këtij qyteti që nga paslufta e këndej. Xhemajl Pllana (LVV) që drejtonte Vushtrrinë në vitin 1999, duke qenë pjesë e PDK-së, Muharrem Shabani që ishte i pari i Vushtrrisë si kandidat i LDK-së në vitet 2000-2007 dhe Bajram Mulaku e qeveris këtë komunë prej vitit 2007 e deri tash.

Muharrem Shabani ka ndërruar LDK-në me AAK-në, ndërsa Xhemajl Pllana PDK-në për Vetëvendosjen.
Debati më i ashpër u zhvillua mes kandidatit të dikurshëm dhe të tashëm të LDK-së Muharrem Shabanit dhe Refik Ramajt. Ramaj thoshte se partia e tij ka larguar Shabanin, ndërsa Shabani këmbëngulte se është larguar vetë.

Ramaj “luftoi” në dy fronte duke u kapur edhe me kryetarin aktual Mulaku. Për Mulakun vërejtje të fuqishme pati edhe kandidati i LVV-së.

Xhemajl Pllana e quajti Mulakun politikan kukull, duke shtuar se nëpërmjet tij PDK-ja me mekanizmat e “nëntokshëm dhe parapolitikë” qeveris me Vushtrrinë, pa e lejuar kryetarin aktual të zhvillojë politika lokale.

Kandidatët me plot premtime zhvillimore teorike

Në dy muinutat e tyre për prezantim programesh,e deh kandidatët e Vushtrrisë paraqitën premtime të përgjithshme.

Abdullah Klinaku nga Partia e Drejtësisë premtoi punë të ndershme, profesionalizëm dhe luftë të pakompromis kundër shkelësve dhe nëpërkëmbësve të ligjit.

Bajram Mulaku i PDK-së tha se fza e investimeve emergjente ka kaluar, ndërsa gjatë mandatit të tij të tretë do të fokusohet në zhvilllim të qëndrueshëm të degëve ekonomike karakteristike për Vushtrrinë.

Muharrem Shabani nga AAK-ja tha se do të angazhohet për transparencë dhe llogaridhënie, derisa Refik Ramaj i LDK-së tha se do t’i kushtojë rëndësi përmirësimit të kushteve të biznesit.

Xhemajl Pllana i LVV-së tha se me të në krye të Vushtrrisë do t’i jepet fund keqqeverisjes, hajnisë e korrupsionit, ndërsa Remzi Selimi nga Lëvizja për Bashkim përmendi ngritjen e standardit jetësor të familjeve vushtrriase.

Pyetjet personale sfidë për kandidatët

Pyetjet e veçanta për secilin nga kandidatët që moderatorja jeta Xharra po i bën në çdo emision dhe ua bëri edhe kandidatëve për kryetar të Vushtrrisë të dielën mbrëma, ngritën temperaturat në sallën e debatit.

Abdullah Klinaku i PD-së që premtoi ulje të shpenzimeve komunale në fushën e mallrave dhe shpenzimeve, ku hyjnë edhe harxhimet për derivate, u pyet se si mund ta bëjë këtë kur përditë vozit makinën zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë ku punon si këshilltar i ministrit Agani.

Klinaku u përgjigj se makinën e vozit vetëm për nevojat e ministrisë, duke shtuar se udhëton me autobus. Për të qenë më bindës, tregoi çmimin ebiletës në relacionin Vushtrri-Prishtinë.

Bajram Mulakut iu shtrua pyetja se a është e ndershme të kandidojë për kryetar, pasi është duke u përballur me proces gjyqësor, ndërsa Mulaku tha se derisa nuk ka vendim të gjyqit nuk e konsideron veten fajtor.

Mulaku, në procesin e nisur kundër tij në korrik akuzohet për shpërdorim detyre dhe të autorizimit.

Muharrem Shabani (AAK) dhe Xhemajl (LVV) u pyetën se a do t’i ndërrojnë edhe partitë aktuale, pasi deri tash e kanë bërë një gjë të tillë. Pllana më parë ishte në PDK, ndërsa Shabani kaloi nga LDK-ja në një listë qytetare, për t’u ndalur te AAK-ja.

Refik Rama (LDK) dhe Remzi Selimi (LB) u pyetën se çfarë kanë bërë për Vushtrrinë. Rama duke qenë asamblist tha se ka ngritur zërin kundër keqpërdorimeve dhe është angazhuar për zgjidhjen eproblemeve, derisa Selimi tha se ka dhënë mësim nëpër disa shkolla të qytezës.

Kandidatët që nuk hanë pite

Të veçantat e debateve zgjedhore të organizuara nga emisioni “Jeta në Kosovë” dhe drejtuesja Jeta Xharra, janë edhe intervistat me familjarët e kandidatëve.

Mehdi Klinaku- tha se të veçantat e birit të tij, Abdullahut janë:  aftësia e tij morale, ligjore dhe humanizmi për ndihmë njerëzve në nevojë.

Bashkëshortja e kandidatit të PDK-së, Ganimete Mulaku- tregoi se bashkëshortit të saj i pëlqejnë ushqimet tradicionale, kryesisht ato të përgatitura me misër. Ajo tha se kreu aktual i komunës Bjaram Mulaku nuk di shumë rreth kuzhinës, përveç zierjes së ndonjë kafeje.

Ndërsa bashkëshortja e Muharrem Shabanit, Shefkija, përveç që tha se burri i saj punon vetëm me ligj dhe rregull, tregoi se të njëjtit nuk i pëlqejnë pushimet verore.

Në anën tjetër bashkëshortja e kandidatit të LDK-së, Kumrije Ramaj, tregoj se burri i saj nuk i konsumon brumërat, përkatësisht pitet.

Ndërkaq, Bedrie Selimi bashkëshortja e kandidatit të LB-së, tha se kur bashkëshorti i saj gjendet në shtëpi i ndihmon shumë, si dhe shquhet për bërjen e dhuratave.

E, bashkëshortja e kandidatit të LVV, Selvete Grajqevci-Pllana tha se burri i saj, Xhemajli ka pasur mundësi të korruptohet, por ai kurrë nuk ka vepruar ashtu, sepse ka pas parasysh bërjen e shtetit e jo të bëjmë pasuri për vete.