Gjyqtari i Thotë Mujës Nuk Je në Supermarket

Në shqyrtimin e sotëm dëshmuan Ymer Hoxha, kryetar i Gjykatës Themelore të Prizrenit dhe 3 punëtorë të kësaj komune.

Kryetari i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Ymer Hoxha, dëshminë e tij, e dha në përgjithësi lidhur me konkluzionin e kryetarit Muja, për moslejimin e eksperteve të komunës, që t’i kryejnë ekspertizat e gjykatës.

Në aktakuzën e ngritur kundër Mujës dhe të tjerëve, thuhet se në periudhën prej viteve 2008-2012, ai ka penguar të paktën në shtatë raste ekspertët komunalë të gjeodezisë dhe kadastrit për të dëshmuar në gjykatë, për shkeljet që i ngarkohen.

Kryetari Muja, tha se më nxjerrjen e konkluzionit, ka dashur që të vendosë rend në Krejtorinë e Kadastrit, që qytetaret të mos presin si rezultat i shkuarjes së ekspertëve të tillë në gjykatë.

Por gjeodetët komunalë të Drejtorisë së Kadastrit, Luljeta Rizanaj e Ramë Skenderaj që dëshmuan pas Ymer Hoxhës, e demantuan Mujën, duke thënë se shkuarja në gjykatë nuk do ta pengonte punën e drejtorisë, pasi ata thirrjet nga gjykata i merrnin dy javë para ditës kur duhej të shkonin atje dhe mund të koordinoheshin me kolegët e tyre për zëvendësim.

Muja më tutje konkluzionin për moslejimin e gjeodetëve që të shkojnë në gjykatë e arsyetoi edhe me pagesën dyfishtë që ata do të merrnin, duke kryer ekspertizat e kërkuara nga gjykata, në kohën kur merrnin rrogë në komunë.

Dëshmitari, Hoxha, kryetar i Gjykatës Themelore të Prizrenit, i tha Mujës se nuk ishte çështje e tij se kujt gjykata do t’i bëjë pagesat, pasi ajo donte kryerjen e ekspertizës.

Në kohën e pauzës, avokati i kryetarit Muja, Ruzhdi Berisha, tha se ka për të udhëtuar drejt Shqipërisë e nuk mund të marrë pjesë në seancën e pasdites, ndërsa klienti tij për mungesë avokati kërkoi ndërprerjen e seancës.

Kjo e nervozoi kryetarin e trupit gjykues që i tha Mujës se nuk është në supermarket për të zgjedhur, por në gjykatë. Gjykatësi shtoi se avokati i Mujës nuk e ka njoftuar me kohë gjykatën për udhëtimin e tij, ndërsa ky udhëtim është i pabesueshëm pasi avokati nuk ka ofruar dëshmi për të.

Kur Muja u kthye në seancë, pa mbrojtësin e tij, trupi gjykues, prokuroria dhe avokatët tjerë të të pandehurve patën mendime të ndryshme se si të vazhdojë seanca.

Trupi gjykues tha të vazhdohej pa mbrojtës, avokatët e të pandehurve tjerë kërkuan që seanca të shtyhej, ndërsa prokuroria propozoi që Mujën ta mbrojë përkohësisht një avokat i caktuar sipas detyrës zyrtare.

Pas konsultimeve, gjykata vendosi që Mujës t’i caktohet një avokat sipas detyrës zyrtare dhe kryetarin e Prizrenit në vazhdim të seancës e mbrojti Hana Canaj.

Në seancën e sotme, dëshminë e tij e dha edhe Ibrahim Krasniqi, koordinator  për shërbime profesionale në komunën e Prizrenit.

Muja, Kadri Ukimeri ( drejtor i Gjeodezisë) e Minir Krasniqi (drejtor i Administratës) po akuzohen për shpërdorim detyre dhe të autorizimeve. Bashkë me ta, po ngarkohen për të njëjtat akuza edhe Sadik Paçarizi, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Abdullah Tejeci e Avni Ademaj, që në periudha të ndryshme drejtuan Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër.

Aktakuza thotë se për krijimin e dobive pasurore të të tjerëve këta gjashtë zyrtarë prizrenas kanë bërë keqpërdorime të pronave të paluajtshme në periudhën katërvjeçare 2008-2012.

Seanca e radhës u caktua pritet të zhvillohet më 24 dhe 25 tetor.