Ngrihet LDK-ja në Rugovë (TV)

Isa Nikçi, kryetar i LDK-së për regjionin e Rugovës, thotë se 16 nëndegë të LDK-së në Rugovë shprehin pakënaqësinë e tyre që nga zgjedhjet e fundit brenda këtij subjekti në prill-maj të 2011-ës, pasi që sipas tij këto nëndegë janë shpërfillur.

Ndërkaq, sekretari i nëndegës së Rugovës Ramiz Cukaj thotë se prurjet e reja në degën e LDK-së në Pejë kanë shkaktuar probleme.

“Prurjet e reja, ose riciklimet që kanë ndodhur në kryesinë e LDK-së në Pejë, kanë shkaktuar një dëm dhe një neglizhencë në punë, si dhe anulimin e punës së shumë bartësve të LDK-së dhe themeluesve të saj”, thotë ai.

Cukaj e quan detyrim, ngrirjen e aktivitetit të tyre.

Ai thotë të ketë qenë kundër zgjedhjes së Gazmend Muhaxherit për kryetar të LDK-së në Pejë, duke mbledhur të nesërmen kryesinë e nëndegës së Rugovës, dhe duke e vlerësuar si një parregullsi të bërë atyre.

Cukaj, anashkalimin e nëndegëve të Rugovës, e sheh te listat për këshilltarë komunalë, ku sipas tij nuk është asnjë përfaqësues nga ky regjion.

“Elektoratin e LDK-së në Pejë vetëm zona e Rugovës e ka përbërë rreth 40-50 për qind dhe këto pasoja të trajtimit të tyre nga dega qendër, do të shihen pas 3 nëntorit”, thotë Cukaj.

Ndërsa në anën tjetër, i pari i LDK-së në Pejë, Gazmend Muhaxheri vlerëson se krejt kjo është vetëm një ankesë e dy personave që janë të pakënaqur me procesin.

“Në demokraci mund të ketë njerëz të pakënaqur, por vendimet i bjen kryesia dhe shtabi zgjedhor. Ata që janë të pakënaqur, kanë të drejtë ankimi dhe kërkesat e tyre merren parasysh, ku edhe marrin përgjigje nga shtabi zgjedhor”,  thotë Muhaxheri.

Engelbert Zefaj, sekretar i LDK-së në Pejë, thotë se nëndegët e Rugovës nuk kanë ndonjë arsye për ngrirje të aktivitetit të tyre politik.

“Nuk është e vërtetë që ata nuk kanë pasë kandidatë nga zona e Rugovës, ata janë të përfaqësuar me dy kandidatë. Isa Nikçi ka qenë në listë, por më dëshirën e tij është tërhequr nga lista, duke më thirrë personalisht në telefon”, thotë Zefaj.

Zefaj tregon se pastaj e ka zëvendësuar Nikçin me nënkryetarin e 16 nëndegëve të Rugovës, Demë Dashin.

Demë Dashi ka thënë se vetë Isa Nikçi që dy vjet nuk ka qenë aktivm për arsye të tija private që nuk ndërlidhen me subjektin, ndërkaq sipas Dashit , aktivizimi i Nikçit përpara zgjedhjeve, më shumë ka qenë një shantazh, sesa interesim i tij për kyçjen e nëndegëve të Rugovës në aktivitete.

Ai vlerëson se LDK-ja e Pejës ka një elektorat shumë të gjerë dhe shumë të vendosur dhe se nuk i dëgjon siç ka thënë ai, zërat e tillë të vetmuar.