Vrasja e Doganierit Nuk Zmbraps Institucionet

Salvatore Farina, komandanti i KFOR-it, pas një takimi me zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi, tha se misioni ushtarak i NATO-s do të jetë i vendosur për të garantuar një ambient të qetë e të sigurt në pjesën veriore të vendit, por nuk foli për mundësinë e shtimit të trupave të KFOR-it në atë zonë.

“Përpjekjet kryesore po bëhen tashmë në veri…Ne do të jemi shumë vigjilent, të paanshëm, të matur, por të vendosur”, tha ai.

Takimi u zhvillua një ditë pas vrasjes së një pjesëtari të EULEX-it dhe plagosjes së disa të tjerëve në veri të Mitrovicës.

Lituanezi 35 vjeçar Audrius Senavicius u vra, kur vetura në të cilën ai, bashkë me disa kolegë të tij, u sulmua nga të shtëna me armë zjarri në mëngjesin e së enjtes, në rrethinë të Zveçanit.

Autoritetet në Prishtinë, Beograd e Bruksel dënuan ashpër sulmin, ndërsa kërkuan që përgjegjësit të vihen para drejtësisë.

Sulmi erdhi në kohën kur Kosova po përgatitet për të mbajtur zgjedhjet lokale në të gjithë vendin, përfshirë pjesën veriore.

Zëvendëskryeministri Kuçi që njëherësh drejton edhe Ministrinë e Drejtësisë tha se incidenti “e ka forcuar bindjen e Kosovës dhe të Brukselit se ato [strukturat paralele] duhet të mos kenë ndikim dhe të vihen para drejtësisë”.

Ai theksoi vendosmërinë e Kosovës për të mos u zmbrapsur nga përpjekjet për vendosjen e rendit dhe të ligjit në veri të Mitrovicës dhe zbatimit të marrëveshjes me Serbinë.

“Nuk duhet të ketë stepje nga zbatimi i marrëveshjes. I ftojmë qytetarët atje që të bashkëpunojnë me organet e rendit dhe të drejtësisë. I ftojmë që të bashkëpunojnë për integrim që garanton paqe, stabilitet e siguri për ta. Nuk do të zmbrapsemi përballë këtyre veprimeve kriminale”, u shpreh ai.

Përderisa vazhdojnë hetimet për zbardhjen e incidentit të së enjtes, është raportuar për një shpërthim që ka ndodhur gjatë natës në atë pjesë, por pa shkaktuar dëme në njerëz.

Vendimi për t’i mbajtur këto zgjedhje më 3 nëntor doli nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë e arritur më 19 prill.