Ftohja e Mujës Shtyn Seancën

Ymer Berisha, këshilltari politik i Ramadan Mujës, nëpërmjet telefonit të enjten njoftoi Gazetën Jeta në Kosovë se kryetari i Prizrenit, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe autorizimi është ftohur, ndërsa ka edhe temperaturë të lartë.

Më herët gjatë së enjtes këshilltari Berisha tha se për çështje gjyqësore është përgjegjës avokati i të parit të Prizrenit.

“Për opinionet publike lidhur me gjykatën në Prizren, duhet t’i referoheni avokatit të kryetarit Muja, ngase unë tani për tani nuk kam informacione se pse nuk ka qenë, ose ku qëndron arsyeja”.

Ramadan Muja nuk mori pjesë në seancën gjyqësore kundër tij dhe pesë zyrtarëve tjerë komunalë, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

Ruzhdi Berisha, avokati i Ramadan Mujës tha ta ketë njoftuar të mërkurën zyrtarin e EULEX-it, për gjendjen e klientit të tij, një gjendje që nuk ia lejon qëndrimin në gjykatë.

Kryetari i trupit gjykues Vladimir Mikulla, tha se kishte marrë informatën se kryetari Muja ka probleme shëndetësore, mirëpo nuk ishte në dijeni për çfarë sëmundje bëhej fjalë.

Prokurorja Vikari kërkoi prova për sëmundjen e Mujës, të cilat avokati i tij Ruzhdi Berisha, nuk i prezantoi, por tha se do t’i sigurojë për gjykatën.

Pa e ditur saktësisht se çfarë ka kryetari Muja, gjykatësi Mikulla shtyu seancën për të hënën.

““Sipas informatës që kam marrë dje, nga bashkëpunëtorët e tij dhe anëtarët e familjes, z.Muja është sëmurë…më kanë lajmëruar se nuk është në gjendje që të marrë pjesë në seancën e sotme gjyqësore. Për të hënën varet nga gjendja shëndetësore e tij, se a do të marrë pjesë, apo jo?” tha avokati Berisha.

Muja, Kadri Ukimeri ( drejtor i Gjeodezisë) e Minir Krasniqi (drejtor i Administratës) po akuzohen për shpërdorim detyre dhe të autorizimeve. Bashkë me ta, po ngarkohen për të njëjtat akuza edhe Sadik Paçarizi, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Abdullah Tejeci e Avni Ademaj, që në periudha të ndryshme drejtuan Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër.

Aktakuza thotë se për krijimin e dobive pasurore të të tjerëve këta gjashtë zyrtarë prizrenas kanë bërë keqpërdorime të pronave të paluajtshme në periudhën katërvjeçare 2008-2012.