Akuzohet për Vrasje Gjatë Luftës së Dytë Botërore

Boljkovac u akuzua të martën për urdhërimin e vrasjes së 21 civilëve nga rajoni Duga Resa i Kroacisë, të cilët akuzoheshin se kishin bashkëpunuar me regjimin e ustashëve nazistë.

Në kohën e vrasjeve, në maj dhe qershor të vitit 1945, ai shërbente si zyrtar i shërbimit sekret të partizanëve, Departamentit për Mbrojtjen e Popullit, OZNA-s. Boljkovac më vonë u bë zyrtar i lartë i policisë në Jugosllavinë e pas Luftës së Dytë Botërore.

Pasi Kroacia shpalli pavarësinë e saj në vitin 1991, ai ishte ministri i parë i brendshëm i saj, ndërsa tani ka reputacionin e zyrtarit i cili u përpoq të parandalonte luftën e viteve 1990 dhe uljen e tensioneve ndërmjet kroatëve e serbëve në vend.

Boljkovac mohoi akuzat, duke thënë se aktakuza ishte e motivuar politikisht.

“Ata më kanë akuzuar për të tërhequr vëmendjen nga politika ditore dhe rasti ‘Lex Perkoviq'”, tha ai për mediat lokale, duke iu referuar rastit i cili ka bërë që Kroacia të kërcënohet me sanksione nga Bashkimi Europian.

Boljkovac ishte arrestuar në nëntor të vitit 2011 për të njëjtin krim, por Gjykata Kushtetuese kishte urdhëruar lirimin e tij për shkak të gabimeve procedurale.

Avokati i tij, Anto Nobilo tha se i kishte hetuar vrasjet në tërësi në Duga Resa dhe “kishte gjetur personin i cili i kishte kryer këto krime dhe ai nuk ishte Boljkovac”.

“Nuk ka prova kundër Boljkovacit”, kishte thënë Nobilo, në vitin 2011.

Ish -pesidenti kroat, Stjepan Mesiq, mik personal i Boljkovacit, i cili ka hyrë në politikë në të njëjtën kohë, tha gjithashtu se ai mendonte se ish-ministri është i pafajshëm.

“Unë besoj në gjyqësorin kroat dhe besoj se do të vërtetohet se Boljkovac nuk kishte pasur autoritet që të urdhëronte apo të kryente likuidimet”, tha Mesiq.

Ky shkrim është botuar së pari në Balkan Transitional Justice