Femrat Mbizotërojnë Listën e Partisë së Fortë për Prishtinë

Të shquar për sarkazëm, subjekti më i ri politik në vend, Partia e Fortë, të mërkurën ka prezantuar listën e saj për komunën e Prishtinës, që sipas tyre është “lista më e re” për kryeqytetin, sepse siç thuhet në njoftimin e tyre, mosha mesatare e kandidatëve është 25.9 vjeç.

Edhe pse fortësia në Kosovë lidhet me gjininë mashkullore, Partia e Fortë në listën e saj për Prishtinën, u ka dhënë përparësi femrave.

Nga 34 kandidatët e “të fortëve”, 20 janë nga gjinia e bukur.

Partia njoftoi se do të kandidojë vetëm në Komunën e Prishtinës.

Në listën e kësaj partie vërehen disa artistë të njohur kosovarë, përfshirë këtu Genc Salihun dhe Alban Nimanin, të dy këngëtarë. Hana Qena regjisore dhe Dren Maliqi artist figurativ, janë gjithashtu pjesë e kandidatëve të kësaj partie.

Përveç artistëve kjo parti ka në listën e saj edhe dy emra krejtësisht të ngjashëm me dy figura të njohura më herët nga historia dhe politika: Mic Sokoli dhe Sali Berisha, si për ta vërtetuar emrin e saj.

Zana Elshani, nënkryetare e Partisë së Fortë duke e vënë theksin te mosha mesatare e kandidatëve tha se nganjëherë gjërat e vjetra janë të mira, duke përmendur verën e kuqe.

“Por në raste të tjera gjërat e reja janë të mira, marrim shembull modelet më të reja të telefonave”, tha ajo.